Vendosni fjalën kyçe....

Kancelari gjerman Merz takohet me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë, lufta në Ukrainë në qendër të diskutimeve


Kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, po zhvillon një takim zyrtar në Uashington me Presidentin amerikan Donald Trump, në vizitën e tij të parë si udhëheqës i ekonomisë më të madhe të Europës.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë shënon gjithashtu herën e parë që Merz takohet me Trump që prej zgjedhjes së tij si kancelar muajin e kaluar.

Në axhendën e bisedimeve janë përfshirë temat kyçe si tarifat tregtare, shpenzimet për mbrojtjen dhe, mbi të gjitha, lufta në Ukrainë, sipas BBC.

Zëdhënësi i Merz deklaroi për mediat gjermane se kancelari është “mirë i përgatitur” për këtë takim, duke theksuar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit transatlantik në këtë fazë të konfliktit në Evropën Lindore dhe sfidave ekonomike globale.

Merz pritet të kërkojë nga SHBA më shumë koordinim në çështjet e mbrojtjes evropiane dhe ndihmës për Ukrainën, ndërsa Trump ka sinjalizuar më parë se do të shtyjë vendet evropiane të rrisin kontributet e tyre në NATO dhe të përballojnë një pjesë më të madhe të kostove të sigurisë.

Vizita e Merz në Uashington shihet si një test i hershëm për marrëdhëniet Gjermani-SHBA në një kohë kur politika globale po ndryshon me ritme të shpejta.