Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina godet urën që lidh Rusinë me Krimenë me eksplozivë nënujorë (Video)


Ukraina tha të martën se kishte goditur urën që lidh Rusinë dhe Gadishullin e pushtuar të Krimesë me eksplozivë të vendosur nën ujë, në sulmin e saj të tretë në linjën jetësore të furnizimit për forcat e Moskës që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në vitin 2022.

Shërbimi i sigurisë së Ukrainës, SBU, tha në Telegram se agjentët e saj kishin minuar shtyllat e Urës rrugore dhe hekurudhore të Krimesë, të quajtur edhe Ura e Kerçit, dhe kishin shpërthyer eksplozivin e parë në orën 4:44 të mëngjesit të së martës. I gjithë operacioni zgjati disa muaj, shtoi ajo.

Agjencia tha se kishte përdorur 1,100 kilogramë eksplozivë të cilët “dëmtuan rëndë” shtyllat nënujore që mbështesin urën, shkruan CNN.

Trafiku në urë u ndërpre herët të martën në mëngjes, pastaj përsëri në mes të pasdites, përpara se të rifillonte pak para orës 6 të mbrëmjes sipas orës lokale. Edhe pse shkalla e dëmit nuk ishte menjëherë e qartë, sulmi i së martës është shembulli më i fundit i përpjekjeve të SBU-së për të surprizuar Moskën dhe për të treguar se do i duhet të paguajë kosto për luftën e saj.

Të dielën, SBU nisi një sulm të guximshëm me dronë ndaj flotës së bombarduesve të Moskës me kapacitet bërthamor, të stacionuar në fusha të ndryshme ajrore ruse mijëra kilometra larg Ukrainës.

Vasul Malyuk, kreu i SBU-së, tha se sulmi shkaktoi dëme prej rreth 7 miliardë dollarësh dhe kishte goditur 34% të bombarduesve strategjikë ë Rusisë, të cilët janë përdorur për të goditur qytetet ukrainase gjatë gjithë luftës.

E ndërtuar pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014, Putin e hapi urën në 2018. Projekti kushtoi rreth 3.7 miliardë dollarë.

Sulmi i së martës shënon herën e tretë që Ukraina ka shënjestruar urën që nga pushtimi në shkallë të plotë i Moskës në vitin 2022. Në tetor të atij viti, një kamion me karburant shpërtheu në urë, duke përfshirë një pjesë të saj në flakë. Në korrik 2023, SBU tha se kishte hedhur në erë një pjesë të urës duke përdorur një dron detar eksperimental. Të dyja herët, Rusia veproi shpejt për të riparuar pjesët e dëmtuara.