
Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e së dielës në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës, ku një turist nga Gana ka humbur jetën pasi ra nga një mjet lundrues Jet Ski, ndërsa vajza që e shoqëronte ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, rreth orës 11:15 të mëngjesit të 1 qershorit, një patrullë e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit u njoftua se dy shtetas të huaj kishin rënë në det, pasi dyshohet se kishin humbur kontrollin mbi Jet Ski-në me të cilën po lundronin.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, patrulla kufitare ndërhyri dhe i transportoi të dy personat drejt bregut.
Nga verifikimet paraprake të stafit të urgjencës që priste në port, rezultoi se njëri prej të huajve, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, me origjinë nga Gana dhe banues në Angli, kishte ndërruar jetë.
Ndërkohë, shtetasja që e shoqëronte, V. B., 31 vjeçe, po ashtu nga Gana dhe me banim në Angli, u transportua me urgjencë drejt spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Të dy turistët nuk kishin me vete dokumente identifikimi në momentin e ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit dhe për dokumentimin ligjor të rastit.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu mbi kushtet e dhënies me qira të mjetit Jet Ski dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë për lundrimin në det.