Vendosni fjalën kyçe....

Pamjet – Treni në Rusi del nga shinat, shtatë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur


Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e 31 majit në rajonin Bryansk të Rusisë, ku një tren pasagjerësh doli nga shinat si pasojë e shembjes së një ure rrugore. Ngjarja ka lënë të paktën shtatë viktima, përfshirë edhe shoferin e trenit, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe tre fëmijë.

Në momentin e aksidentit në tren ndodheshin 379 pasagjerë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, autoritetet ruse po hetojnë mundësinë që shpërthime të qëllimshme të kenë shkaktuar shembjen e urës, si dhe rrëzimin e një tjetër ure në rajonin fqinj të Kurskut.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë dëme të mëdha në trenin e përplasur. Incidenti ndodhi rreth orës 22:45 me orën lokale. Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa shkaku i saktë i shembjes së urës dhe përmasat e plota të dëmeve nuk janë zbardhur ende.