Vendosni fjalën kyçe....

ILD merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të RESIJ në Lisbonë, zgjidhet presidenti i ri i rrjetit



Inspektori i Lartë i Drejtësisë mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të RESIJ (Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë), mbajtur në Lisbonë dhe mikpritur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Portugalisë. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga vendet anëtare Belgjika, Bullgaria, Franca, Italia, Portugalia, Spanja, Shqipëria dhe Moldavia – kjo e fundit me statusin e vëzhguesit.

Asambleja diskutoi çështje të brendshme që lidhen me përmirësimet në statutin e rrjetit, mënyrat për të lehtësuar vendimmarrjen proceduriale dhe nivelin e autoritetit të përfaqësimit nga secili shtet anëtar, për të garantuar më shumë transparencë dhe koherencë institucionale.

Një nga momentet kryesore ishte zgjedhja e presidentit të ri të RESIJ. Pas përfundimit të mandatit të përfaqësuesit nga Rumania, me votë unanime, president i ri u zgjodh z. Stéphane Noël, shef i Inspektoratit të Drejtësisë së Francës. Kjo është hera e dytë që Franca merr drejtimin e rrjetit, si një nga vendet themeluese të tij.

Gjatë Asamblesë, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të rrjetit me institucionet evropiane, si dhe ndarja e praktikave dhe ekspertizës në funksion të forcimit të efikasitetit të drejtësisë në nivel kontinental.

Në kuadër të aktivitetit, u mbajt edhe konferenca “Të komunikosh drejtësinë”, organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Portugalisë në ambientet e Gjykatës së Lartë në Lisbonë. Nënkryetari i Këshillit, Luiz Azevedo Mendes, theksoi se transparenca dhe gjuha e thjeshtë në komunikimin e drejtësisë janë të domosdoshme për rritjen e besimit publik.

Temat e konferencës përfshinë:

  • Rolin e inspektimeve në promovimin e transparencës dhe qartësisë në vendimmarrje;

  • Argumentimin dhe gjuhën në vendimet gjyqësore;

  • Komunikimin në kontekstin e medias, mbrojtjen e të dhënave dhe anonimizimin e vendimeve;

  • Përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në drejtësi;

  • Lirinë e informacionit dhe sfidat teknologjike në inspektimet gjyqësore.

Në konferencë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të inspektimeve të tjera portugeze për prokurorinë, gjykatat administrative dhe institucionet e Ministrisë së Drejtësisë.