
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita duhet të veprojë tani dhe jo të presë vjeshtën, duke theksuar se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë elektorale. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se është duke u përgatitur një raport që do t’u dërgohet forumeve dhe institucioneve ndërkombëtare, ku do të dokumentohen manipulimet zgjedhore dhe blerja e votave me para, kanabis, punësime dhe prokurime.
Berisha theksoi se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe se ky qëndrim është ndarë edhe nga 108 parti të Internacionales Demokrate të Qendrës, 87 parti të Partisë Popullore Europiane dhe 83 parti të Bashkimit Ndërkombëtar Demokrat. Ai përmendi edhe rezolutën e Valencias, ku sipas tij është denoncuar blerja e votave nga mazhoranca.
Berisha paralajmëroi se shumë shpejt do të bëhen publike përmasat e krimit me kanabis dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos pranojnë më farsa zgjedhore, duke i kërkuar të ngrihen në mbrojtje të votës së lirë.