
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja ndaj Sudanit, pas konstatimit se forcat shtetërore kanë përdorur armë kimike gjatë vitit të kaluar në luftën civile kundër grupit paraushtarak Rapid Support Forces (RSF).
Sipas zëdhënëses Tammy Bruce, sanksionet do të hyjnë në fuqi më 6 qershor dhe përfshijnë kufizime në eksportet amerikane drejt Sudanit si dhe ndalime për huamarrje financiare.
Sipas raportimeve të BBC, gjatë konfliktit që ka nisur dy vite më parë, më shumë se 150 mijë persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 milionë janë zhvendosur. Ushtria sudaneze ka rimarrë kontrollin e kryeqytetit Khartoum, por luftime të ashpra vijojnë në zona të tjera të vendit.
Edhe pse Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka dhënë detaje mbi llojin e armëve kimike të përdorura, New York Times raportoi në janar se forcat sudaneze kanë përdorur dy herë gaz klori – një substancë me efekte të dhimbshme dhe potencialisht vdekjeprurëse.
“SHBA u bën thirrje autoriteteve të Sudanit të ndalojnë menjëherë çdo përdorim të armëve kimike dhe të respektojnë detyrimet e tyre sipas Konventës për Armët Kimike (CWC)”, thuhet në deklaratë. Kjo konventë është nënshkruar nga pothuajse të gjitha shtetet e botës, përfshirë Sudanin.
SHBA thekson se mbetet e angazhuar për të mbajtur përgjegjës individët dhe aktorët që kontribuojnë në përhapjen e armëve kimike.
Kjo nuk është hera e parë që SHBA vendos sanksione ndaj palëve ndërluftuese në Sudan. Në janar, sanksione u vendosën ndaj liderëve të të dyja palëve. Udhëheqësi ushtarak Abdel Fattah al-Burhan u akuzua për destabilizimin e vendit dhe pengimin e tranzicionit demokratik, ndërsa kreu i RSF-së, Mohammed Hamdan Dagalo (i njohur si Hemedti), u akuzua nga ish-sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken për gjenocid.
Konflikti ka përfshirë edhe elementë të jashtëm, siç është rasti i Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat janë akuzuar nga autoritetet sudaneze për furnizim me armë të grupit RSF – akuzë që Abu Dhabi e ka mohuar. Ndërkohë, disa ligjvënës demokratë në Kongresin amerikan kanë kërkuar bllokimin e shitjeve të armëve për Emiratet, pjesërisht për shkak të rolit të tyre të dyshuar në luftën në Sudan.
Agjencia AFP raporton se efektet e sanksioneve të reja pritet të jenë të kufizuara, për shkak të masave të mëparshme që e kanë izoluar ekonomikisht Sudanin.