
Kancelari gjerman Friedrich Merz ndodhet sot në Lituani për të shënuar formimin zyrtar të njësisë së parë ushtarake gjermane të përhershme jashtë vendit që nga Lufta e Dytë Botërore, një lëvizje që shihet si përforcim vendimtar i krahut lindor të NATO-s përballë kërcënimit në rritje nga Rusia.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, gjatë takimit me kancelarin Merz në Vilnius, e përshëndeti këtë vendim si një “angazhim të qartë dhe të fortë” nga ana e Gjermanisë për të garantuar mbrojtjen e Lituanisë dhe të gjithë kufirit lindor të Aleancës, sipas The Guardian.
Ai e quajti këtë ditë si “ditë përgjegjësie dhe veprimi”, duke nënvizuar se njësia e përhershme gjermane vjen pas një pranie të përkohshme të trupave gjermane në këtë vend.
Në kontekstin e përgatitjeve për samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë, Nausėda tha se “mesazhi ynë duhet të jetë i qartë: jemi të bashkuar, të përgatitur dhe të vendosur.”
Ai bëri të ditur se Lituania do të arrijë vitin që vjen objektivin e shpenzimeve për mbrojtje në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Presidenti lituanez përmendi gjithashtu situatën në Ukrainë, duke bërë thirrje për një “armëpushim gjithëpërfshirës dhe pa kushte” dhe u kërkoi vendeve partnere të vendosin sanksione të reja për të “shkatërruar makinerinë e luftës ruse”.
Kjo zhvillim ndodh në një kohë kur disa vende të NATO-s, përfshirë Finlandën dhe Rumaninë, kanë rritur alarmin për lëvizjet ushtarake të Rusisë pranë kufijve të tyre, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të jenë të larta.