Vendosni fjalën kyçe....

Endri Shabani: Berisha është qaraman, koha për një front të përbashkët kundër qeverisë



Kryetari i Nismës Thurje, Endri Shabani, deklaroi se zgjedhjet e fundit treguan se qytetarët kanë filluar t’i kthejnë sytë nga alternativat e reja politike, duke u shprehur se partitë e reja arritën të sigurojnë rreth 10% të votave në rang kombëtar.

Sipas Shabanit, ky është një sinjal pozitiv për ndryshim dhe një mundësi reale për të ndërtuar një front të ri politik, përtej strukturave tradicionale. Ai i bëri thirrje të gjitha forcave të reja të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë aktuale, duke përmendur konkretisht Adriatik Lapajn, Arlind Qorin dhe Agron Shehajn si figura me të cilat do të dëshironte të bashkëpunonte.

Luftën nuk e kemi me partitë e reja, por me qeverinë. Duhet të bëhemi bashkë si forca të reja dhe të jemi më të fortë. Unë dhe Adriatik Lapaj e dhamë shembullin, u bëmë bashkë. Duhet të bashkohemi të gjithë në një front”, deklaroi ai.

Shabani kritikoi ashpër mënyrën se si funksionon aktualisht gara elektorale, duke e konsideruar të pabarabartë dhe të kapur nga paratë dhe pushteti. Ai theksoi kontrastin mes partive të reja që bëjnë fushatë me mjete modeste dhe partive të mëdha që, sipas tij, përdorin para dhe makina luksoze për të blerë vota.

Në komentet e tij, Shabani nuk kurseu as kritikat ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj Sali Berisha, duke e cilësuar si të fundit që mund të ankohet për rezultatin. “Berisha duhet të mbajë përgjegjësi, është qaraman. Edhe Rama nuk ka pranuar rezultatet kur ka qenë në opozitë”, tha ai.

Duke komentuar rezultatet në Tiranë, ai u shpreh i zhgënjyer që kandidati i Nismës, Ilir Alimehmeti, nuk u bë deputet, ndërsa Tedi Blushi i LSI-së përfitoi nga votat e koalicionit. Ai theksoi gjithashtu se ndodhet në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe paralajmëroi se shumica e madhe parlamentare e Edi Ramës përbën rrezik për funksionimin e demokracisë në vend.