
I pyetur nga mediat lidhur me ngjarjen, Berisha u përpoq ta minimizojë atë, duke deklaruar se nuk e kishte ndjekur të gjithë episodin dhe se është për respektimin e gazetarëve.
Megjithatë, ai la të kuptohej se tensionet mund të jenë shkaktuar edhe nga vetë gazetarët, duke sugjeruar që në protesta të tilla të mos zbatojnë “porosi të gabuara” që mund të nxisin përplasje.
“Personalisht siç e dimë kam falenderuar me sinqeritet në mënyrë të përsëritur gazetarët për kontributin që kanë dhënë në denoncimin e farsës elektorale.
Ato kronikat e tyre, edhe para zgjedhjeve, veçanërisht ditën e zgjedhjeve dhe në vazhdim, janë të çmuara. Nuk jam nga ana tjetër, të sugjeroi miqësisht të lexosh raportet e OSBE, çfarë thonë për mediat në Shqipëri.
Thonë se u sollën si në diktaturë, jo gazetarët e kronikës. I përjashtoj gazetarët e kronikës nga ky klasifikim pasi ka prej tyre që kanë rrezikuar veten me raportimet me guxim e trimëri.
Por gjendja e mediave flet që shëmbëlltyrë e vendeve në diktaturë.
E thotë raporti, nuk kam lexuar një raport të tillë tjetër. Unë s’e kam të gjithë episodin para sysh, jam për respektin e gazetarëve.
Nëse ju në anën tjetër në tre muaj nuk bëni dot një pyetje, keni bërë pyetje dhe keni marrë përgjigje për çfarë keni dashur.
Çdo politikan duhet të ketë kujdes të veçantë në marrëdhënie me gazetarin. Në protesta kur ka kauzë, besoj se gazetari nëse nuk e mbështet protestën, nuk duhet të përpiqet të marrë porosi që nuk është vendi për t’i zbatuar se mund të krijojë gjaknxehtësira.
Por marrëdhëniet me PD ju i keni pasur më normale krahasuar me të tjerat. “, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha u pyet sot para ambienteve të SPAK nëse ka komunikuar me këshilltarin e tij elektoral, amerikanin Chris LaCivita. I shmangur për të dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, Berisha falënderoi LaCivita për punën dhe kontributin e tij, por theksoi se edhe ai, pavarësisht profilit të lartë publik, ka të drejtën e privatësisë.
“Dua të falënderoj për punën që ka bërë, çështjet e privatësisë edhe Berisha sado që është njeriu më publik, ka edhe ai privatësinë e tij. E falënderoj për kontributin dhe ndihmën që në ka dhënë”, tha Berisha.