
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 16 të Durrësit, ku një person rreth 40 vjeç është plagosur me thikë. Sipas burimeve, viktima ndodhej në gjendje të dehur në një lokal, nga ku është nxjerrë jashtë nga pronarja për shkak të sjelljes së tij.
Në momentin që është nxjerrë jashtë ambientit të lokalit, një person tjetër – që ka ardhur nga krahu i kundërt i rrugës – e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pas sulmit, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim nga policia.
I plagosuri është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe po merr ndihmën e parë mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.