Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj pas fitores së PS më 11 maj: Pa fjalë përballë mbështetjes së jashtëzakonshme, krenar për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, ku deri më tani janë siguruar 83 mandate parlamentare.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se është i përunjur dhe pa fjalë përballë asaj që e cilëson si “valë të jashtëzakonshme mbështetjeje”, e cila – sipas tij – “fshiu çdo dyshim dhe çdo helm të hedhur ndaj PS në katër vitet e fundit.”

Ai e konsideron këtë rezultat si një mesazh të qartë nga qytetarët shqiptarë, të cilët – siç shkruan – nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen më nga figurat e së shkuarës. Veliaj shigjeton direkt opozitën, duke thënë se shqiptarët “nuk i besojnë më Saliut dhe bashkëpunëtorëve të tij,” dhe se 11 maji i vuri vulën këtij diskutimi.

“Shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën dhe zhvillimin. Ata e dinë se vetëm një forcë mund ta çojë vendin drejt Europës që ëndërrojmë: Partia Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës,” thekson Veliaj.

Në fund të postimit, Veliaj shpreh mirënjohje për çdo qytetar brenda dhe jashtë vendit që votoi për PS, me një falënderim të veçantë për Tiranën, të cilën e quan “familjen e tij të dytë”.

“Jam krenar që kam dhënë kontribut në këtë rrugëtim dhe që qytetarët na dhanë një mandat të fortë për të vazhduar përpara. Jam krenar për ekipin tonë të jashtëzakonshëm në Tiranë,” përmbyll Veliaj.