
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të urdhërojë heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Sirisë për t’i dhënë këtij vendi një “mundësi për madhështi”, ndërsa paralajmëroi Iranin që të arrijë një marrëveshje ose të përballet me “presion maksimal”.
Në të njëjtën kohë, Trump vlerësoi marrëveshjen e re për shitje armësh në vlerë prej 142 miliardë dollarësh mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite, gjatë një forumi investimesh në Riad.
“Do të urdhëroj heqjen e sanksioneve kundër Sirisë për t’i dhënë atyre një shans për madhështi. Është koha e tyre për të shkëlqyer. Po i heqim të gjitha sanksionet. Suksese, Siri, na tregoni diçka të jashtëzakonshme,” u shpreh Trump gjatë fjalimit, përcolli The Guardian.
Në të njëjtën ngjarje, ai e quajti Iranin “forcën më shkatërruese në Lindjen e Mesme”, por theksoi se dëshiron një marrëveshje me Teheranin.
“Ata e dinë që nëse nuk e bëjnë, do të përballen me pasoja të rënda,” shtoi ai.
Ndërkohë, presidenti amerikan njoftoi arritjen e një marrëveshjeje madhore për shitjen e armëve mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite në vlerën 142 miliardë dollarë, që përfshin pajisje për mbrojtje, energji dhe miniera.
Investime të mëdha në teknologjinë AI
Vizita e Trump në vendet e Gjirit përkoi me njoftime për investime të mëdha në fushën e inteligjencës artificiale. Sipas Reuters, kompania amerikane Nvidia nënshkroi një marrëveshje për të shitur qindra mijëra çipe të reja “Blackwell” në Arabinë Saudite, me 18 mijë prej tyre që do të dërgohen fillimisht në kompaninë “Humain”, një startup i fondit sovran saudit.
Gjithashtu, kompania Cisco nënshkroi një marrëveshje me firmën G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe për të zhvilluar sektorin e AI në atë vend.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, kompania saudite DataVolt do të investojë 20 miliardë dollarë në qendra të dhënash dhe infrastrukturë energjetike në SHBA. Kompani si Google, Oracle, Salesforce, AMD dhe Uber pritet të investojnë mbi 80 miliardë dollarë në teknologji të përparuara në të dyja vendet.
Arabia Saudite po synon të diversifikojë ekonominë e saj përtej varësisë nga nafta, dhe po pozicionohet si një qendër globale për zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale.
Princi i kurorës, Mohammed bin Salman, prezantoi kompaninë “Humain” si pjesë të këtij vizioni, me qëllim të bëhet lider global në AI dhe transformim dixhital.
Trump pritet të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe të enjten, ndërsa sipas raportimeve të New York Times, administrata e tij është pranë finalizimit të një marrëveshjeje që do t’i lejojë Emiratet të blejnë sasi të mëdha çipesh të avancuara nga Nvidia.