Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Zgjedhjet e 11 majit ndër më të parregulltat që kam parë, Shqipëria nuk di të bëjë zgjedhje


Kandidatja e Partisë Demokratike në listën e hapur për qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku, ka shprehur kritika të forta ndaj procesit zgjedhor të 11 majit, të cilin e cilësoi si një ndër më të parregulltit që ka përjetuar. Në një lidhje direkte për emisionin “LOG.”, Tabaku foli nga shkolla “Hoxha Tahsim” në Tiranë, ku po ndjek nga afër numërimin e votave preferenciale.

Ka qenë një garë e pabarabartë, si në përballje me kundërshtarin ashtu edhe në mënyrën si është zhvilluar,” u shpreh ajo. “Të jesh grua në listë të hapur dhe të bësh fushatë në pesë bashki të qarkut të Tiranës ka qenë një sfidë e vërtetë dhe mjaft e lodhshme.”

Tabaku falënderoi demokratët që kanë mbajtur qëndrime të forta dhe kanë vijuar të monitorojnë procesin zgjedhor, pavarësisht humbjes së PD-së.

“Falënderoj njerëzit e opozitës që po qëndrojnë stoikë në qendrat e numërimit, edhe pse rezultati nuk është në favorin tonë.”

Sa i përket votës preferenciale, ajo theksoi se shpërndarja e votave është krijuar në mënyrë të paparashikueshme, me një tendencë që është e vështirë të parashikohet.

“Do të pres deri në fund për të bërë komentet përfundimtare,” shtoi ajo. “Por këto zgjedhje tregojnë se Shqipëria, pavarësisht hapjes së negociatave me BE-në, ende nuk ka mësuar të zhvillojë zgjedhje të ndershme.”

Tabaku e mbylli me një mesazh për demokratët, duke theksuar sakrificën e tyre edhe pas 12 viteve në opozitë, si dëshmi e qëndresës dhe përkushtimit të tyre ndaj votës dhe demokracisë.