Vendosni fjalën kyçe....

“Berisha i shiti Ramës 12 mandate me Kodin Zgjedhor, fali zgjedhjet për hallin personal me SPAK” – Alibeaj


Kreu i partisë së re “Djathtas 1912” Enkelejd Alibeaj akuzoi kreun e PD-së Berisha se shiti zgjedhjet e 11 majit për hallin e tij personal me SPAK-un.

Sipas ish-deputetit të PD-së Kodi Zgjedhor i miratuar nga PS-PD i falte socialistëve 12 mandate ndërsa denoncoi dyshen Rama-Berisha se kanë pasur si synim asgjësimin e çdo partie dhe lëvizjeje të re.

“Kushtetuta ka një rregull, pesha e votës duhet të jetë e barabartë, përsa i përket edhe sistemit zgjedhor. Ndaj u bë edhe pazari Berisha-Rama, që Berisha të mos bëhej një zonë zgjedhore. E që kur e thashë pasi u bë marrëveshja, se PD i shiti PS-së edhe 12 mandate me Kodin e ri Zgjedhor, kjo ishte edhe shitja e zgjedhjeve këtu e një vit më parë. Të dyja palët kanë një synim, që të asgjësojnë çdo parti dhe lëvizje të re. Për Sali Berishën ishte më e vlefshme të shiste qeverisjen për mandat të katërt te Rama, thjesht për të ruajtur monopolin e opozitës. Ka marrë edhe 3 mandate më tepër parazitare si pasojë e sistemit, që nuk i takojnë. Pra nuk i ka dalë keq kjo lëvizje. Nga ajo që shohim te lista e mbyllur e PD-së, kandidatët e saj nuk kanë punuar, janë vetëm 34% vota, pothuajse aq sa ka lista e mbyllur, madje duke rrezikuar në disa raste sipas shifrave. Asnjë nga kandidatët e listës së mbyllur nuk lëvizi të punonte, sepse e kishin siguruar, kurse ata të listës së hapur ishin të demotivuar. Motori i listës së mbyllur ishte e mbyllur, ai i të hapurës gjysmë i ndezur apo pa karburant.” – tha Alibeaj në Report Tv.