Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon PS për manipulim zgjedhor: 100 euro një votë, ngritën zyra ilegale pranë qendrave të votimit


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë me akuza të forta ndaj Partisë Socialiste pas përfundimit të procesit të votimit, duke deklaruar se zgjedhjet nuk janë zhvilluar në kushte të ndershme dhe të barabarta.

Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se PD është në pritje të rezultateve përfundimtare, por do të kryejë një vlerësim të plotë të situatës.

“Presim rezultatin, PD do bëjë gjithë vlerësimin e saj,” u shpreh ai, ndërsa denoncoi një sërë praktikash që sipas tij kanë deformuar vullnetin e qytetarëve.

 “Kur mbillen dhjetëra hektarë kanabis për votë, kur punësohen me mijëra persona për të blerë vota, kur ngrihen zyra ilegale të PS pranë qendrave të votimit, kjo nuk është më garë e ndershme,” deklaroi Berisha.

Ai përmendi gjithashtu faljen e 150 milionë eurove gjoba për mbi 170 mijë qytetarë si një tjetër mjet për të ndikuar në votë, duke shtuar se në proces kanë ndërhyrë edhe grupe kriminale.

“Bandat kanë ndërhyrë në zgjedhje. Nëse jepet 100 euro për votë, kjo nuk është përgjegjësi e opozitës,” theksoi ai.

Berisha nënvizoi se pavarësisht gjithçkaje, Partia Demokratike mbetet e vendosur për të garantuar numërimin korrekt të çdo vote. “Nuk ka forcë në botë që pengon shqiptarët të votojnë të lirë,” përfundoi ai.