Vendosni fjalën kyçe....

Rama mbyll fushatën në Ditën e Europës: Të firmosim në kuti marrëveshjen për Shqipërinë në BE


Kryeministri Edi Rama ka përmbyllur fushatën elektorale me një fjalim simbolik në Ditën e Europës, më 9 maj, duke e lidhur këtë datë me aspiratën europiane të Shqipërisë.

Nga mitingu përmbyllës në Tiranë, Rama tha se kjo ditë nuk është një rastësi, por një moment domethënës për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.

“Ju jam mirënjohës për praninë tuaj në këtë fushë. U rikthyem këtu e gjithë skuadra e Tiranës sonë, jo thjesht për të përmbyllur një tjetër betejë zgjedhore, por në kulmin e një rruge katërvjeçare drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Bashkuar me Europën,” – u shpreh kreu i qeverisë.

Rama nënvizoi se dita e 9 majit, e njohur si Dita e Europës, është simbol i angazhimit të Shqipërisë për integrim dhe përfaqëson më së miri frymën e kësaj fushate.

“Nuk besoj se është rastësi që jemi këtu më 9 maj për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi, përpara se të shkojmë të gjithë bashkë në kutitë e votimit për të firmosur marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë në Bashkimin Europian,” – tha Rama para mbështetësve.