
Forcat e armatosura izraelite të sigurisë kanë urdhëruar mbylljen e tre shkollave të drejtuara nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Jerusalemin Lindor, i cili është aneksuar nga Izraeli, përcjell BBC.
Qindra nxënës palestinezë u dërguan në shtëpi nga shkollat e vendosura në kampin e refugjatëve Shuafat, pak pasi kishin nisur mësimet mëngjesin e së enjtes.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, akuzoi autoritetet izraelite për mohimin e të drejtës themelore për arsim të fëmijëve palestinezë dhe i quajti veprimet e tyre një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.
Ndalimi izraelit ndaj veprimtarisë së UNRWA-së hyri në fuqi më herët këtë vit, me autoritetet izraelite që akuzojnë agjencinë për lidhje me Hamasin. UNRWA mohon këto pretendime dhe këmbëngul në paanshmërinë e saj.
Pamjet filmike treguan vajza në uniformë që përqafoheshin jashtë njërës nga shkollat në Shuafat, pasi forcat izraelite u shfaqën para godinës.
Një urdhër zyrtar mbylljeje, i vendosur në murin e shkollës, thoshte: “Është e ndaluar të operojnë institucione arsimore, të punësohen mësues apo staf tjetër, si dhe të strehohen apo të lejohen nxënës në këtë institucion.”
UNRWA njoftoi se në shkollat përkatëse ndodheshin më shumë se 550 nxënës të moshave nga 6 deri në 15 vjeç dhe se një pjesëtar i stafit të saj ishte ndaluar nga autoritetet. Drejtori i agjencisë në Bregun Perëndimor e quajti incidentin “një përvojë traumatike për fëmijët, të cilët rrezikojnë menjëherë të humbasin aksesin në arsim”.
Agjencia shtoi se forcat izraelite të sigurisë ishin vendosur edhe pranë tre shkollave të tjera në Jerusalemin Lindor, duke detyruar gjithashtu mbylljen e tyre dhe largimin e nxënësve.
“Sulmet ndaj shkollave dhe detyrimi i tyre për t’u mbyllur është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar,” shkroi Lazzarini në platformën X (ish-Twitter). “Këto shkolla janë objekte të paprekshme të Kombeve të Bashkuara.”
Ai shtoi: “Me zbatimin e urdhrave të mbylljes të lëshuara muajin e kaluar, autoritetet izraelite po mohojnë fëmijëve palestinezë të drejtën bazë për të mësuar. Shkollat e UNRWA-së duhet të vazhdojnë të jenë të hapura për të mbrojtur një brez të tërë fëmijësh.”
Autoriteti Palestinez e cilësoi veprimin si “shkelje të së drejtës së fëmijëve për arsim”.
Konsullata britanike në Jerusalem deklaroi se Mbretëria e Bashkuar, BE-ja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Japonia e kundërshtojnë fuqishëm mbylljen e shkollave të UNRWA-së dhe shprehin “solidaritet me nxënësit, prindërit dhe mësuesit”.
“UNRWA ka vepruar në Jerusalemin Lindor në bazë të mandatit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që nga viti 1950. Izraeli është i detyruar, sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, të lehtësojë funksionimin e rregullt të të gjitha institucioneve që merren me edukimin e fëmijëve,” shtuan ata.
Vitit të kaluar, parlamenti izraelit miratoi ligje që ndalojnë kontaktin ndërmjet zyrtarëve izraelitë dhe UNRWA-së, si dhe ndalojnë aktivitetin e agjencisë në territorin izraelit.
Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, së bashku me pjesën tjetër të Bregut Perëndimor, gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967. Në vitin 1980, Izraeli e aneksoi de facto Jerusalemin Lindor – një veprim që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar – dhe e konsideron të gjithë qytetin si kryeqytetin e vet.
Ndërkohë, palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.
Rreth 230,000 kolonë izraelitë jetojnë aktualisht në Jerusalemin Lindor, krahas 390,000 palestinezëve. Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i konsideron kolonitë izraelite në këtë zonë dhe në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – qëndrim i mbështetur edhe nga një opinion këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) vitin e kaluar – megjithëse Izraeli e kundërshton këtë interpretim.