Pakistani ka pretenduar se India po planifikon një sulm ushtarak në territorin e saj, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve midis dy fqinjëve të armatosur bërthamor.
“Pakistani ka inteligjencë të besueshme se India synon të nisë një sulm ushtarak brenda 24 deri në 36 orëve të ardhshme, duke përdorur incidentin e Pahalgamit si një pretekst të rremë,” shkroi ministri i Informacionit, Attaullah Tarar në X të martën në mbrëmje.
“Çdo akt agresioni do përballet me një përgjigje vendimtare. India do jetë plotësisht përgjegjëse për çdo pasojë serioze në rajon,” shtoi Tarar.
Deklarata e tij erdhi pasi kryeministri indian Narendra Modi u dha forcave të armatosura të vendit të tij “liri të plotë operacionale” për të përcaktuar mënyrën, objektivat dhe kohën e një përgjigjeje ndaj sulmit të fundit terrorist në territorin Jammu dhe Kashmir, i cili la 26 të vdekur, kryesisht turistë, shkruan Rt.
Nju Delhi e ka lidhur sulmin terrorist me Pakistanin, duke përsëritur akuzat e kahershme se fqinji i tij mbështet terrorizmin dhe kryengritjet ndërkufitare.
Islamabadi i ka mohuar akuzat dhe, nga ana tjetër, ka akuzuar Indinë për mbështetjen e “rrjeteve terroriste” që veprojnë në tokën pakistaneze. Të dy vendet kanë një mosmarrëveshje të gjatë mbi rajonin e Kashmirit, i cili de facto është i ndarë nga Linja e Kontrollit e krijuar pas Luftës Indo-Pakistaneze të vitit 1971.
Më 22 prill, terroristët hapën zjarr ndaj një grupi njerëzish në Pahalgam, në pjesën veriore të Jammu dhe Kashmir. Fronti i Rezistencës, që besohet të jetë një degë e grupit xhihadist me bazë në Pakistan, Lashkar-e-Taiba, ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Kryeministri indian Narendra Modi u zotua të ndëshkojë “terroristët dhe mbështetësit e tyre”. Mediat indiane raportuan të martën se katër operacione antiterror ishin duke u zhvilluar në Jammu dhe Kashmir.
Në një intervistë me Al Jazeera, ministri pakistanez i Mbrojtjes Khawaja Asif sugjeroi se sulmi në Pahalgam ishte një operacion i rremë i organizuar nga India.
