Ligjvënësit hungarezë pritet të votojnë të hënën një amendament kushtetues, që aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë përshkruar si një “përshkallëzim të rëndësishëm” në përpjekjet e qeverisë për të shtypur kundërshtitë dhe për të kufizuar të drejtat e njeriut.
I mbështetur nga kryeministri Viktor Orbán dhe partia e tij populiste e djathtë, Fidesz, amendamenti synon të kodifikojë ndalimin e kohëve të fundit të qeverisë ndaj aktiviteteve Pride, duke i hapur rrugën autoriteteve për të përdorur programe të njohjes së fytyrës për të identifikuar pjesëmarrësit dhe për t’i gjobitur ata, përcjell The Guardian.
Amendamenti, që sipas qeverisë synon të mbrojë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të fëmijëve, parashikon gjithashtu njohjen vetëm të dy gjinive, duke krijuar kështu një bazë kushtetuese për të mohuar identitetet gjinore të ndryshme në Hungari.
Pas pretendimeve të përsëritura të Orbán për ndërhyrje të huaja në politikën e vendit, amendamenti do t’i japë gjithashtu mundësi qeverisë të pezullojë përkohësisht shtetësinë hungareze për qytetarët me shtetësi të dyfishtë që konsiderohen si kërcënim për sigurinë apo sovranitetin e vendit.
Komiteti Hungarez i Helsinkit, një organizatë për të drejtat e njeriut, e cilësoi amendamentin si një mënyrë për të “ligjëruar frikën” në një shtet anëtar të BE-së.
“Këto ligje përfaqësojnë një përshkallëzim të rëndësishëm në përpjekjet e qeverisë për të shtypur kundërshtimet, për të dobësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për të konsoliduar kontrollin mbi pushtetin,” thuhej në deklaratën e saj.
Partia opozitare Momentum theksoi ngjashmëritë me kufizimet në Rusi. Ashtu si Vladimir Putini, edhe Orbán është përpjekur të paraqitet si një mbrojtës i vlerave tradicionale familjare, duke miratuar politika që përfshijnë ndalimin e çifteve të të njëjtit seks për të birësuar fëmijë dhe ndalimin e çdo përmendjeje të çështjeve LGBTQ+ në programet shkollore.
Momentum ka bërë thirrje në rrjete sociale që qytetarët hungarezë të bllokojnë të hënën hyrjen në parlament, me shpresën se do të pengojnë votimin e ligjit.
“Të parandalojmë bashkë që ata të na çojnë në rrugën e Putinit dhe të na privojnë nga liria jonë,” thuhej në thirrjen e tyre.
Miratimi i amendamentit kushtetues pritet të ndodhë gati një muaj pas miratimit me procedurë të përshpejtuar të një ligji që ndalon ngjarjet publike të komuniteteve LGBTQ+. Që nga ajo kohë, mijëra qytetarë kanë dalë në protesta në rrugë, duke bllokuar ura dhe akse kryesore me thirrjet “demokraci” dhe “mbledhja është një e drejtë themelore”.
Në një tubim të fundit, deputeti i pavarur Ákos Hadházy, që bashkëpunon me Momentum, u shpreh sipas agjencisë Bloomberg:
“Kjo qeveri nuk po e shemb më demokracinë tullë pas tulle, tani po përdor buldozerin. Ne jemi këtu sepse duhet të veprojmë shpejt që ta ndalim këtë.”
Orbán dhe qeveria e tij kanë deklaruar se qëllimi i tyre është të mbrojnë fëmijët nga ajo që ata e quajnë “propagandë seksuale”, por analistët theksojnë se përpara zgjedhjeve të ardhshme, komuniteti LGBTQ+ po shndërrohet në kokë turku për të mobilizuar bazën konservatore të qeverisë.
Orbán, i cili është kritikuar prej kohësh për dobësimin e institucioneve demokratike dhe përminimin e shtetit ligjor, po përballet me një sfidë të paprecedentë nga Péter Magyar, një ish-figurë e lartë e partisë Fidesz, në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Pas njoftimit të ndalimit të Pride muajin e kaluar, 22 ambasada europiane në Hungari – përfshirë ato të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë – publikuan një deklaratë të përbashkët ku shpreheshin thellësisht të shqetësuara se legjislacioni do të sillte “kufizime të të drejtës për tubim paqësor dhe të lirisë së shprehjes”.
Komisionerja e BE-së për barazinë, Hadja Lahbib, reagoi gjithashtu në rrjete sociale: “Çdokush duhet të ketë të drejtën të jetë ai që është, të jetojë dhe të dojë lirshëm. E drejta për t’u mbledhur paqësisht është një e drejtë themelore që duhet të mbrohet në të gjithë Bashkimin Europian. Ne qëndrojmë me komunitetin LGBTQI – në Hungari dhe në të gjitha shtetet anëtare.”
Organizatorët e Budapest Pride, që zakonisht mbledh dhjetëra mijëra pjesëmarrës, janë shprehur të vendosur të vazhdojnë me marshimin e këtij viti, që është planifikuar për 28 qershor. “Kjo nuk është mbrojtje e fëmijëve, kjo është fashizëm,” deklaruan ata muajin e kaluar.
Ky është amendamenti i 15-të në Kushtetutën hungareze që prej vitit 2011, kur ajo u hartua dhe u miratua në mënyrë të njëanshme nga koalicioni qeverisës Fidesz-KDNP. Ai synon gjithashtu të forcojë pozitën e Orbán përballë asaj që ai e konsideron si përpjekje të huaja për të ndikuar politikën hungareze.
Në një fjalim të fundit të mbushur me teori konspirative, Orbán u zotua se do të “eliminonte të gjithë ushtrinë në hije” të përbërë nga “politikanë, gjyqtarë, gazetarë, OJQ të rreme dhe aktivistë politikë” të financuar nga jashtë.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar këtë amendament si një hap drejt këtij qëllimi të Orbánit, një lider që e quan veten “joliberal”.
Amendamenti parashikon që shtetësia hungareze të mund të pezullohet deri në 10 vjet për qytetarët me shtetësi të dyfishtë që paraqesin rrezik për rendin publik apo sigurinë – por vetëm për ata që kanë shtetësi të vendeve jashtë BE-së apo Zonës Ekonomike Europiane.
Komiteti Hungarez i Helsinkit, Bashkimi Hungarez për Liritë Civile, Amnesty International dhe Shoqata Háttér kanë kërkuar nga Komisioni Europian të nisë një procedurë ndaj qeverisë hungareze, duke argumentuar se ndryshimet e fundit shkelin ligjin e BE-së.
Grupet kanë theksuar “rëndësinë dhe urgjencën e pasojave të ndryshimeve të miratuara” në një deklaratë të përbashkët, duke shtuar se ato “do ta detyrojnë komunitetin LGBTQ+ të zhduket krejtësisht nga jeta publike”. Ndalimi në shkallë kombëtare besohet të jetë i pari i këtij lloji në historinë e fundit të BE-së.
Organizatat gjithashtu theksuan se ky amendament shkon përtej shkeljes së të drejtave të personave LGBTQ+ dhe atyre që i mbështesin ata, duke e cilësuar atë si një mjet për të përhapur frikë edhe më gjerësisht ndaj kujtdo që shpreh kundërshtime në vend. “Ndryshimet kanë pasoja të gjera që prekin të drejta themelore shumë më tej se vetëm çështja e Pride,” përfundon deklarata.