
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me të rinjtë që do të votojnë për herë të parë, pasditen e së enjtes në qytetin e Durrësit, ku një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte fenomeni i largimeve jashtë vendit. Ai theksoi se këto largime nuk ndodhin për arsye politike, por për kërkimin e një jete më të mirë.
Sipas Ramës, në zgjedhjet e ardhshme, roli i brezit të ri është më i rëndësishëm se kurrë më parë. Ai tha se vota e të rinjve do të ndikojë drejtpërdrejt në rrugën që do të ndjekë Shqipëria.
“Arsyeja pse ju duhet të jeni aktivë është më e fortë se kurrë më parë. Sepse këto zgjedhje janë të lidhura drejtpërdrejt me ju, me fatin tuaj dhe me atë të bashkëmoshatarëve tuaj,” u shpreh Rama.
Ai nënvizoi se e ardhmja europiane e vendit është më afër se kurrë dhe se vendimet e sotme do të jenë përcaktuese për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Nëse ecim me qartësi dhe vendosmëri, Shqipëria mund të jetë anëtare e BE-së në vitin 2030. BE jo vetëm që e pranon tashmë këtë realitet, por edhe po na nxit të mbyllim negociatat sa më parë,” tha Rama.