Vendosni fjalën kyçe....

BE u kundërpërgjigjet tarifave të Trump-it për mallrat evropiane


Bashkimi Evropian nisi kundërmasat kundër tarifave të reja të metaleve të SHBA-së, me plane për të vendosur taksa mbi 26 miliardë euro mallra amerikane.

Njoftimi erdhi disa orë pasi administrata amerikane vendosi tarifa 25% mbi importet e çelikut dhe aluminit në një përshkallëzim të madh të luftës tregtare midis dy aleatëve të vjetër. BE-ja do fillojë menjëherë këshillimet me shtetet anëtare, me miratimin e tarifave që pritet në mes të prillit, shkruan Bloomberg.

“Kundërmasat që ne marrim sot janë të forta, por proporcionale,” u tha gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë në Strasburg.

“Ne besojmë fuqimisht se në një botë të mbushur me pasiguri gjeo-ekonomike dhe politike, nuk është në interesin tonë të përbashkët t’i ngarkojmë ekonomitë tona me tarifa të tilla.”

Për Evropën, taksat e reja do jenë gati katër herë më të mëdha se tarifat e ngjashme të vendosura gjatë mandatit të parë të Trump, kur SHBA synoi gati 7 miliardë dollarë të eksporteve të metaleve të bllokut, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare. BE-ja do synojë prodhimet e çelikut dhe aluminit të SHBA-së, si dhe tekstile, prodhime bujqësore dhe pajisje shtëpiake.

BE-ja do godasë gjithashtu prodhimet nga lufta e saj e mëparshme tregtare me Trump, si varkat, uiskin dhe motoçikletat, sipas deklaratës.

Shefi i tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, udhëtoi në Uashington muajin e kaluar për t’u përpjekur të gjente një zgjidhje miqësore me anëtarët e lartë të ekipit të Trump, përfshirë Sekretarin e Tregtisë së SHBA-së, Hoëard Lutnick. Ai ofroi uljen e tarifave për mallrat industriale, duke përfshirë makinat, një nga kërkesat e kahershme të Trump dhe rritjen e importeve amerikane të gazit natyror të lëngshëm dhe mallrave të mbrojtjes.

“Përçarja e shkaktuar nga tarifat është e shmangshme nëse administrata e SHBA pranon dorën tonë të shtrirë dhe punon me ne për të arritur një marrëveshje,” tha Sefcovic të mërkurën.

“Ne jemi gati për të biseduar.”