Vendosni fjalën kyçe....

Rithemelimi: ARRSH strofull korrupsioni, fituesit e procedurave të prokurimit për punë publike të paracaktuar


Genta Vangjeli, zëdhënësja e antikorrupsionit e Rithemelimit përmes një deklarate ka bërë nje denoncim.

Sipas Vangjelit ARRSH është një strofull korrupsioni dhe vijon me avazin e vjetër, sipas saj të grabisë fondet publike.

Përmes edhe disa grafikëve Vangjeli deklaron se përmes disa denoncime që kanë shkuar në adresë të tyre është e qartë që fituesit e procedurave të prokurimit për punë publike janë të paracaktuara.

Më tej Vangjeli u bën thirrje të gjithë punonjësve të mos firmosin akte të jashtëligjshme sepse kur të nxjerrim të gjitha provat dhe faktet në shesh, ju që jeni të pafajshëm do të bëheni koka turku për të shpëtuar eprorët tuaj, shprehet Vangjeli.

 

Deklarata e Plotë:

 

Sikur të mos mjaftonte fakti se Autoriteti Rrugor Shqiptar është kthyer tashmë në një strofull korrupsioni galopant sikur të mos mjaftonte fakti se ish drejtori i saj, është pas hekurave, ARRSH vazhdon me avazin e vjetër të grabitjes së fondeve publike. Këto ditë pritet të shpallen fituesit e garave për disa procedura prokurimi për punë civile.Në adresën tonë kanë mbërritur denoncime për shpallje fituesish me detyrim lidhur me këto procedura.

Denoncuesit e kësaj afere na treguan qartë emrat e subjekteve të cilët priten të shpallen fitues, dhe për të cilët anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave po shantazhohen nga eprorët për t`i shpallur këta operatorë fitues.

Konkretisht për procedurat ofertat e të cilave u hapën në datën 08 Maj 2024, me objekt:

Ndërtim rruga Berat – Ballaban subjekti që pritet të shpallet fitues ka iniciale “C’ shpk;

Zgjerimi i rrugës së Ksamilit subjekti që pritet të shpallet fitues me inicialet “A. C”. shpk

Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, subjekti që pritet të shpallet fitues zyrtarisht me iniciale “P”. ……shpk

Dy procedurat me objekt Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës, subjekti që pritet të shpallen fitues me iniciale S…shpk, dhe G…shpk;

Katër procedurat me objekt Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë, subjekti që pritet të shpallen fitues me inicialet G..C…. shpk; A..I..shpk; G…. shpk; A-B ..shpk

Të gjitha ofertat fituese do të jënë me pak diferencë nga fondit limit ose rreth 97% deri 99% .Kjo është skema e njohur e vjedhjes së fondeve publike.

Kjo është skema me të cilën Rama ndan paratë dhe favore, për t`i marrë mbrapsht ato në kohën e fushatës që po troket.

Një thirrje kemi sot për të gjithë punonjësit e ndershëm që kanë marrë urdhër që për këto procedura të nxjerrin fituesit e paracaktuar.

Mos pranoni të firmosni asnjë akt në kundërshtim me ligjin.

Mos pranoni të firmosni asgjë që saknsionon vjedhjen dhe i çon paratë tek eprorët tuaj. Mos pranoni edhe pse e dimë që keni shumë presion, madje me vendin e punës, por të dini se Partia Demokratike, do t`i shkojë deri në fund denoncimit dhe kallëzimit penal të çdo afere sic ka bërë me të gjitha aferat e tjera korruptive. Mos pranoni të firmosni sepse kur të nxjerrim të gjitha provat dhe faktet në shesh, ju që jeni të pafajshëm do të bëheni koka turku për të shpëtuar eprorët tuaj.