Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Tiranës zbardh skemën e mashtrimit me mikrokreditë në vlerën 7.2 mln euro. 9 masa sigurie, qytetarit i bllokuan 14 pasuri për 348 mijë lekë


Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur 9 masa sigurie, 5 “arrest në burg” dhe 4 “arrest në shtëpi” për administratorë të subjekteve financiare dhe përmbarues, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ pasi janë përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë.

Si shembull për përmasat e skandalit me mikrokreditë prokuroria sjell rastin kur Micro Credit Albania, i ka sekuestruar një personi, 14 pasuri të paluajtshme për rreth 348 mijë lekë detyrim të prapambetur.

Ndërsa ka zbardhur skemën e mashtrimit pramidal të kredidhënies, sipas prokurorisë 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro.

Ata përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja.

Subjekte të ndryshme, në kushtet e mirëbesimit, janë mashtruar për të marrë kredi të reja te institucionet financiare, për të likuiduar kredi të vjetra që ata kishin në banka, dhe këto kredi ishin blerë nga një institucion financiar.

Me marrjen e një kredie të re nga ky institucion, zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më vonë dilte një kërkesë e re për likuidimin e shumave të tjera.  

 

Njoftimi i plotë i Prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ të parashikuar nga neni 143/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Blerja e kredive të këqija                                                                                                                                                                                                                                  

Nga aktet e sekuestruara rezulton se këto shoqëri morën nga (një bankë e nivelit të dytë) 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

 

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

 

Kamatvonesa                                                                                                                                                                                                                                                    

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.

Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.

Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit Arben Meskuti, Alban Kote, dhe Alketa Tanushi, kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Po kështu u provua se Kejda Seferi, në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’. Ndërsa Aldo Daka. Albert Gega dhe Edmond Mato, në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes. Po kështu edhe Elda Ibro, administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’.

 

Masat e sigurisë                                                                                                                                                                                                                                             

Nisur nga provat e mbledhura, Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, çmoi se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore që ndaj personave nën hetim të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues dhe gjykata vendosi:

1 -“Arrest në burg” për Aldo Daka- administrator i shoqërive përmbarimore Star-FS

2 – “Arrest në burg” për Albert Gega- administrator i shoqërive përmbarimore Star-FS

3 – “Arrest në burg” për Edmond Mato- administrator i shoqërive përmbarimore Star-FS

4 – “Arrest në shtëpi” për Kejda Seferi- përmbaruese gjyqësore

5 – ‘Arrest në shtëpi’ për Elda Ibro- administratore e Micro Credit Albania

6 – “Arrest në shtëpi’ për Jorsida Dervishi- permbauese gjyqësore

7 – “Arrest në burg” për Arben Meskuti- përmbarues gjyqësor

8 – “Arrest me burg” për Alban Kote-përmbarues gjyqësore

 

9 – “Arrest në shtëpi” për Alketa Tanushi-përmbaruese gjyqësore

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar masat e sigurisë arrest në burg për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edmond Maton,  Arben Meskutin. Në arrest shtëpie u lanë Kejda Seferi , Elda Ibro, Alketa Tanushi, dhe Jodisa Dervishi. Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasit Alban Kote 43 vjeç, banues në Tiranë. 

Një ditë më parë, kreu i SPAK Altin Dumani, gjatë raportimit në komisionin e ligjeve, tha se mikrokreditë janë çeshtje në hetim.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com