Vendosni fjalën kyçe....

36% e shqiptarëve, peng i politikës


Rëndësia e diasporës shqiptare për vendin, nga pikëpamja e numrave por edhe ndikimit në ekonomi, është e padiskutueshme. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se të drejtën e shprehjes me votë në zgjedhjet elektorale të qytetarëve jashtë vendit, por ky detyrim kushtetues nuk është përmbushur nga Kuvendi. Faktoje sjell një pasqyrë të plotë të diasporës në shifra dhe ndikimit të mundshëm politik të saj që sipas ekspertëve sjell edhe zvarritjen e procesit të mundësimit të votës së tyre.

Jona Plumbi

Numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, mënyra e tyre e shkollimit dhe mungesa e ndikimit nga politika e brendshme janë disa nga faktorët që “trembin” politikën shqiptare, që prej vitesh dështon të plotësojë detyrimin për t’i dhënë atyre mundësinë të votojnë nga larg.

Një nga shkaqet e këtij mohimi, sipas studiuesit Afrim Krasniqi, vjen nga sjellja elektorale e kalsës politike në vend dhe synimi i mazhorancave, në këtë rast asaj socialiste, për të përdorur burimet shtetërore në funksion të fushatave.

“Diapsora nuk është punësuar në shtet. Nuk kërcënohet as me tatime, me kontrolle dhe as me përfitimet sociale që ofron qeveria dhe si e tillë është e vështirë të manipulohet.” – shpjegon Krasniqi.

Pesha dhe ndikimi i diasporës për Shqipërinë pasqyrohet lehtësisht përmes shifrave.

Diaspora shqiptare numëron rreth 1,7 milionë qytetarë në matjet e fundit të Institutit shqiptar të statistikave, INSTAT. Në të njëjtin vit, popullsia shqiptare brenda vendit llogaritej të ishte 2,8 milionë qytetarë.

Thënë ndryshe në vitin 2020 diaspora ishte sa një e treta (36.3%) e totalit të popullsisë shqiptare.

Edhe pse të dhënat për diasporën shqiptare nuk janë përditësuar, ajo që mund të mësojmë nga të dhënat e INSTAT është se prej vitit 2020 popullsia e Shqipërisë ka vijuar të zvogëlohet. Gjithashtu në vitin 2021 dhe 2022 INSTAT ka gjetur se numri i qytetarëve që janë larguar është më i madh se numri i atyre që janë kthyer. Kjo lë kuptohet se përqindja e diasporës mund të jetë edhe më e madhe se 36% e totalit të shqiptarëve.

Nëse diasporën shqiptare e kategorizojmë sipas grupmoshave, rezulton se jashtë Shqipërisë janë rreth 1 milionë e 300 mijë votues.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2021-shit, morën pjesë në votime rreth 1 milionë e 200 mijë shqiptarë, ose thënë ndryshe 46% e shqiptarëve.

Nëse kjo përqindje e pjesëmarrjes në votime do të ishte e njëjtë edhe për shqiptarët jashtë vendit, atëherë zgjedhjet do numëronin mbi 500,000 votues më shumë, ose thuajse edhe njëherë sa gjysma e votuesve të vitit 2021.

Sa i përket peshës në ekonomi, remitancat e ardhura nga diaspora kanë patur gjithmonë një peshë të lartë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Sipas të dhënave të Bankës Boterore, në vitin 2022 në Shqipëri erdhën 1.75 miliardë dollarë në remitanca. Kjo shifër përkthehet në 9.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në 2021-shin përqindja ishte edhe më e lartë (9.6%).

Nëse krahasojmë peshën që remitancat kanë në Prodhimin e Brendshëm Bruto me aktivitetet kryesore ekonomike në vend, rezulton se në vitin 2021 remitancat u renditën të në vendin e katërt për nga prurjet e parave që i sollën vendit.

 

Mundësimi i votës së diasporës ka mbetur “peng” i plotësimit që Kuvendi duhet ti bëjë ligjit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Edi Rama thotë se problemi për mundësimin e votës së diasporës ka mbetur në çështje teknike. Në fakt propozimet nuk kanë munguar. Diaspora për Shqipërinë e Lirë, Partia Demokratike zyrtare dhe vetë Partia Socialiste përmes ekspertëve të saj, kanë propozuar draft-ligjet e tyre.

Propozimin e KQZ e dha edhe Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në mbledhjen e sotme të grupit të dialogut për reforma ku theksoi se nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëqet ligjore brenda këtij sesioni pune atëherë vota e diasporës nuk mund të realizohet për zgjedhjet e vitit 2025.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Faktoje.al