Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina po rrëshqet drejt humbjes – Politico


Thjesht pyesni një ushtar ukrainas nëse ai ende beson se Perëndimi do qëndrojë pranë Kievit “për aq kohë sa duhet”. Ky zotim tingëllon i zbrazët kur kanë kaluar katër javë që kur njësia e artilerisë kishte për herë të fundit një predhë për të gjuajtur ndaj trupave ruse, siç u ankua një ushtar nga vijat e frontit.

Nuk është se forcave të Ukrainës po u mbarojnë vetëm municionet. Vonesat perëndimore në dërgimin e ndihmave nënkuptojnë se vendit i mungon rrezikshmërisht diçka edhe më e vështirë për t’u furnizuar sesa predhat  dhe ai është shpirti luftarak që kërkohet për të fituar.

Morali midis trupave është i zymtë, i rrënuar nga bombardimet e pamëshirshme ruse, mungesa e armëve moderne dhe humbjet në fushën e betejës. Në qytetet qindra milje larg nga fronti, turmat e të rinjve që u rreshtuan për t’u bashkuar me ushtrinë në muajt e parë të luftës tashmë janë zhdukur. Në ditët e sotme, rekrutët e mundshëm u shmangen zyrtarëve qëkërkojnë t’i rekrutojndhe kalojnë pasditet e tyre në klube nate. Shumë prej tyre janë larguar fare nga vendi.

Siç zbulova gjatë raportimit nga Ukraina gjatë muajit të kaluar, pamja që doli nga dhjetëra intervista me udhëheqës politikë, oficerë ushtarakë dhe qytetarë të thjeshtë ishin ato të një vendi që po rrëshqet drejt katastrofës.

Edhe pse presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë se Ukraina po përpiqet të gjejë një mënyrë për të mos u tërhequr, oficerët ushtarakë pranojnë privatisht se më shumë humbje janë të pashmangshme këtë verë. Pyetja e vetme është se sa të rënda do të jenë. Vladimir Putin ndoshta nuk ka qenë kurrë më afër qëllimit të tij.

“Ne e dimë se njerëzit po flasin dhe e dëgjojmë nga guvernatorët rajonalë dhe nga vetë njerëzit,” tha për POLITICO Andriy Yermak, shefi i fuqishëm i shtabit të Zelenskyt. Yermak dhe shefi i tij udhëtojnë së bashku në “disa nga vendet më të rrezikshme” për të mbledhur qytetarët dhe ushtarët për luftë, tha ai. “Ne u themi njerëzve: “Emri juaj do jetë në librat e historisë”.

Nëse batica nuk ndryshon së shpejti në këtë vit të tretë të pushtimit të Rusisë, atëherë kombi i Ukrainës siç njihet sot, do i përkasë së shkuarës.

Për një luftë të një rëndësie të tillë përcaktuese për epokën, shkalla e veprimeve të krerëve për të ndihmuar Kievin në zmbrapsjen e pushtuesit rusë, ka qenë shumë larg nga retorika e tyre në rritje. Ky zhgënjim i ka lënë ukrainasit e të gjitha gradave – nga ushtarët që hapin llogore e deri te ministrat që drejtojnë vendin – të lodhur dhe nervozë.

Kur POLITICO pyeti ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba nëse ai mendonte se Perëndimi e kishte lënë Ukrainën për të luftuar me njërën dorë të lidhur pas shpine, deklarata e tij ishte e qartë: “Po, po,” tha ai, në një intervistë në zyrën e tij një orë pas një tjetër sulmi me raketa ruse në mesditë.

Zelensky e ka parashtruar edhe më ashpër gjendjen, duke thënë se Ukraina “do e humbasë luftën” nëse Kongresi i SHBA-së nuk nxitet dhe nuk ofron ndihmë shpejt.

Gjithnjë e më shumë duket sikur basti i Putinit se ai mund të shtypë rezistencën ukrainase dhe mbështetja perëndimore mund të shpërblehet.

Pa një ndryshim të madh në furnizimin me armë modern perëndimore dhe para, Ukraina nuk do jetë në gjendje të çlirojë territoret, që mbahen tani për tani nga forcat e Putinit. Kjo do i lërë dorë  të lirë presidentit rus të gërryejë vendin e plagosur në muajt apo vitet në vijim. Edhe nëse Rusia nuk mund ta zhbëjë Ukrainën, një fitore e pjesshme do t’i lërë shpresat e Kievit për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO-n të mbërthyera në harresë.

Pasojat e një përfundimi të tillë do jenë serioze për botën. Putini do pretendojë fitoren në vend dhe, i guximshëm nga ekspozimi i dobësive perëndimore, ai mund të ringjallë ambiciet e tij më të gjera perandorake jashtë vendit. Lituania, Letonia dhe Estonia janë veçanërisht të frikësuara se janë të radhës në listën e tij. Kina, tashmë një partner gjithnjë e më i besueshëm për Moskën, do shohë pak arsye për të ndryshuar qëndrimin e saj.

Objektivi i madh i Putinit është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës

Tani për tani, nevoja më urgjente e Ukrainës është për predha artilerie dhe asaj i duhen miliona të tilla. Për më tepër, Ukraina thotë se i duhen të paktën dy duzina sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ për të mbrojtur trupat në vijat e frontit dhe për të mbrojtur Kharkivin, qytetin më të madh të vendit pas Kievit, i cili ka qenë nën sulm të egër me raketa dhe artileri për javë të tëra.

Frika po rritet se Rusia mund të synojë qytetin e dytë të Ukrainës për një ofensivë tokësore së shpejti.

“Është simbolike sepse thonë se Kharkiv ishte kryeqyteti i parë i Ukrainës. Është një objektiv i madh,” tha Zelensky në një intervistë me kompaninë mëmë të POLITICO-s, Axel Springer, javën e kaluar.

Ushtria e Ukrainës është e përgatitur për më shumë humbje në muajt e ardhshëm. Oleksandr Syrskyi, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, ka paralajmëruar se gjendja në frontin lindor të Ukrainës është “përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit”. Siç e tha vetë Zelensky diku tjetër, “ne po përpiqemi të gjejmë një mënyrë për të mos u tërhequr”.

Frika për brishtësinë e linjave të frontit shtohet nga breshëri të papara  tësulmeve ruse që synojnë të rrëzojnë rrjetet elektrike të Ukrainës.

Në takimet e fundit me POLITICO, krerët politikë të vendit pranuan se shpirti  i publikut po dorëzohet dhe megjithëse të gjithë përpoqeshin të qëndrojnë optimistë, zhgënjimi me Perëndimin shfaqej në çdo bisedë.

“Na jepni raketat Patriot dreqi e mori”, tha Kuleba, kryediplomati i Ukrainës. I ulur për një intervistë në Ministrinë e Jashtme. Ai nuk mund ta fshihte acarimin e tij me vonesat që i bashkangjiten mungesës së armatimit perëndimor si mosgoditja e objekteve të naftës ruse.

Kuleba, natyrisht, shprehu mirënjohjen e tij të pakushtëzuar për të gjithë mbështetjen që ka ardhur nga aleatët perëndimorë gjatë dy viteve të fundit. Por ai paralajmëroi se Ukraina është bllokuar në një rreth vicioz: Armët që i nevojiten mbahen ose vonohen; atëherë aleatët perëndimorë ankohen se Kievi është në tërheqje, duke e bërë më pak gjasa që ata të dërgojnë më shumë ndihmë në të ardhmen.

(Që nga takimi i POLITICO me Kuleba, Gjermania ka rënë dakord të furnizojë raketat Patriotët, por ende mbetet pyetja nëse ato do jenë të mjaftueshme.)

Gjendja shpirtërore në radhët e larta të ushtarakëve është edhe më e errët se ajo e Kulebës.

Disa oficerë të lartë folën me POLITICO-n pasi iu premtua se nuk do përmendeshin emrat, në mënyrë që të mund të flisnin lirshëm. Ata përshkruan një parashikim të zymtë të linjave të frontit që mund të bien këtë verë, kur Rusia, me peshë më të madhe të numrave të ushtarëve dhe armëve dhe një gatishmëri më të madhe për të pranuar viktima të mëdha, të nisë ofensivën e saj të pritshme. Ata shprehën frikën se vendosmëria e Ukrainës mund të dobësohej, me moralin në forcat e armatosura të minuar nga një mungesë e dëshpëruar e furnizimeve.

Komandantët ukrainas po thërrasin për më shumë ushtarë – një vlerësim nga ish-komandanti i lartë, Valeriy Zaluzhny sugjeroi se ata do të kishin nevojë për 500,000 trupa shtesë.

Por Zelenskyy dhe parlamenti ukrainas janë në mëdyshje për të urdhëruar një rekrutim të ri të madh. Në një intervistë me POLITICO, Yermak, shefi i fuqishëm i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, ofroi një arsye të rëndësishme – dhe për të huajt ndoshta befasuese – për të mos nisur një mobilizim të gjerë.

“Një thirrje e tillë nuk do kishte mbështetjen e njerëzve. Zelenskyy është ende “president i popullit”, tha ai.

“Për të, kjo është shumë e rëndësishme dhe është shumë e rëndësishme që njerëzit të bëjnë diçka jo thjesht sepse janë urdhëruar ta bëjnë atë.”

Dhe këtu ka një përplasje. Perëndimi ka dështuar të sjellë atë që nevojitet, dhe ai nga ana tjetër po minon vullnetin e Ukrainës për të bërë atë që duhet.

Vendi po përballet me një krizë ekzistenciale – Putini dëshiron ta zhdukë nga harta – dhe megjithatë me sa duket nuk ka mbështetje të mjaftueshme publike për një rekrutim të ri.

Të rinjtë ukrainas po i shmangen rekrutimit

Pa dyshim, Ukraina nuk ndryshon nga vendet e saj fqinje evropiane, ku sondazhet e fundit të opinionit sugjerojnë se një numër i madh do kundërshtonin të rekrutoheshin edhe nëse kombet e tyre do sulmoheshin. Por Ukraina është vend në luftë. Një luftë ekzistenciale si kjo nuk mund të fitohet pa mobilizuar të gjithë kombin.

E megjithatë, ndërsa konflikti vazhdon, ukrainasit që jetojnë në Kiev, në qendër dhe në perëndim të vendit – larg vijave të frontit – duken në një farë mënyre se janë të gatshëm të durojnë luftën e ndezur në lindje, për aq kohë sa mund të përballojnë kthehen në jetën e tyre normale.

Prandaj ka shmangie nga thurrja nën armë. Të rinjtë e kualifikuar gjejnë gjëra të tjera për të bërë me kohën e tyre, duke u grumbulluar në bare e lokale dhe klubeve ku kërcejnë nën ritmet e muzikës tekno pasditeve të vona.

Vitali Klitschko, ish-kampioni i boksit në peshën e rëndë që tani shërben si kryebashkiak i Kievit, tha se e kuptonte pse njerëzit donin të ktheheshin në normalitet, duke argumentuar se është e shëndetshme. Ai tha për POLITICO se dëshira për të rifilluar aktivitetet e përditshme ishte një shprehje sfide përballë përpjekjeve të Putinit për të lodhur njerëzit.

Ndoshta është kështu. Por, përballë një armiku të pamëshirshëm, që fiton përparësi të mëdha në terren kundër një ushtrie mbrojtësish të pajisur keq, një qëndrim i tillë largpamës duket me rrezik të lartë.

Siç e kuptoi kryekomandanti i shkarkuar i Ukrainës, Zaluzhny, paralajmërimet racionale se gjërat mund të mos shkojnë mirë mund t’i vënë komentatorët dhe analistët në telashe. Por zhdukja e të menduarit kritik nuk do e fitojë këtë luftë.

Perëndimi ka besuar shumë te sanksionet, duke besuar se ato do e rrëzonin Rusinë. Ka gjithashtu një mendim dashamirës për rusët që kritikojnë Putinin për fushatën ushtarake në Ukrainë ose shpresat se ai mund të rrëzohet në një grusht shteti në Kremlin. Në vend të kësaj, ekonomia e Rusisë ka mbetur elastike dhe Putini ka forcuar kontrollin e tij mbi pushtetin.

Është e vërtetë që përpara nisjes së pushtimit të vitit 2022, udhëheqësi rus mund të jetë mashtruar nga shefat e tij të inteligjencës duke besuar se një luftë e shkurtër do ofronte një fitore të shpejtë.

Por Putini mund të përballojë një luftë të gjatë. Muajin e kaluar ai i dha vetes një mandat tjetër gjashtëvjeçar si president. Ai mund të kënaqet me një ngërç: mbajtja e Ukrainës e mbërthyer mes fitores dhe humbjes, e mbetur jashtë NATO-s dhe BE-së, do ishte fitore.

Shpërthimi i hershëm i entuziazmit patriotik, i cili bëri që qendrat e rekrutimit të “përmbyteshin” me një numër të ukrainasish që kërkonin të luftonin, është zhdukur. Rreth 650,000 burra të moshes për të shërbyer në ushtri kanë ikur nga vendi i tyre, shumica duke u kontrabanduar përtej kufirit.

Dy vjet më parë, trenat që niseshin nga Ukraina transportonin pothuajse ekskluzivisht gra, fëmijë dhe të moshuar për të kërkuar strehim. Këtë javë, rreth një e treta e pasagjerëve në një tren që transportonte njerëz jashtë vendit ishin burra të moshës luftarake. Në një farë mënyre ata kishin arritur të merrnin letrat për t’u larguar.

Në zyrën presidenciale të Zelensky në rrugën ‘Bankova’, zyrtarët e tij këmbëngulin se janë ende optimistë. Por ajo ndihmë perëndimore, veçanërisht paketa e mbështetjes prej 60 miliardë dollarësh e vonuar prej kohësh e Presidentit Joe Biden, nuk mund të presë shumë më gjatë.

Çfarë do bënte Putin nëse Ukraina nuk do merrte ndihmën perëndimore që i nevojitet për të fituar?

“Ai do shkatërronte plotësisht gjithçka. Gjithçka”, tha Zelenskyy për median ‘Axel Springer’. Qytetet e Ukrainës do shndërrohen në gërmadha; qindra mijëra do vdesin”, tha ai.

“Njerëzit nuk do ikin, shumica prej tyre, dhe kështu ai do vrasë shumë prej tyre. Pra, si do duket? Do ketë shumë gjak të derdhur.”

VINI RE: Ky material është pronësi inteleltuale e Politico

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani