Vendosni fjalën kyçe....

Austin: SHBA-ja nuk do ta lërë Ukrainën që të dështojë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Amerika do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit të nisur nga Rusia, edhe pse paketa e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh vazhdon të mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit të republikanëve.

“SHBA-ja nuk do ta lërë Ukrainën që të dështojë”, tha Austin para afër 50 aleatëve të Ukrainës, në nisje të takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës në bazën ajrore amerikane Raimstein në Gjermani.

Takimi mujor i këtij grupi, që njihet edhe si Formati i Ramstein-it, është për të diskutuar për mënyrat se si të rritet mbështetja ushtarake për Kievin, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë municionesh dhe armësh të rënda të avancuara, teksa ato po përballen me forcat ruse që po përparojnë në frontin lindor.

“Trupat ukrainase po përballen me kushte të rënda dhe luftime të ashpra. Civilët ukrainas po përballen me breshëri të vazhdueshme të raketave ruse dhe dronëve iranianë. Por, Ukraina nuk do të ndalet. As SHBA-ja”, tha Austin, i cili është në udhëtimin e parë jashtë vendit që kur ka nisur trajtimin për kancer në prostatë.

Ai po ashtu përsëriti se 315.000 trupa ruse janë vrarë apo plagosur që kur nisi lufta më 2022 dhe tha se pushtimi deri më tani i ka kushtuar Moskës 211 miliardë dollarë.

Përderisa paketa e ndihmës në vlerë prej 60 miliardë dollarësh vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, SHBA-ja më 12 mars njoftoi për një paketë të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 300 milionë dollarësh. Kjo shumë është marrë nga Pentagoni.

Ndihma ushtarake evropiane për Ukrainën është bërë kritike për trupat ukrainase që po përballen me superioritetin e armikut, si në numër të ushtarëve, por edhe në numrin e municioneve të artilerisë që shpenzojnë në baza ditore në fushëbetejë.

Një ditë më herët, Këshilli Evropian miratoi krijimin e Fondit për Ndihmë të Ukrainës dhe dedikoi 5 miliardë euro për të. Me këtë fond, sipas BE-së, do të vazhdohet mbështetja e Ukrainës “për të mbrojtur veten nga lufta e agresionit rus”, duke premtuar se ndihma për Kievin do të zgjasë për aq kohë sa të ketë nevojë.

Me këtë fond, BE-ja tha se do të blihen “pajisje vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse ushtarake” dhe do të ofrohen trajnime./REL