Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet stadumi ku do luhet finalja e Botërorit 2026


Finalja e Kupës së Botës 2026 do luhet në New Jersey, stadiumin e New York Giants dhe New York Jets të Ligës Kombëtare të Futbollit në SHBA, njoftoi të dielën FIFA.

Kupa e Botës me 48 skuadra, e cila do përfundojë më 19 korrik në stadiumin “MetLife” në East Rutherford, po bashkëorganizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.

Kanadaja do presë 13 ndeshje, duke përfshirë 10 në fazën e grupeve të ndara në mënyrë të barabartë midis Torontos dhe Vankuverit. Meksika do marrë gjithashtu 13 ndeshje, duke përfshirë 10 gjatë fazës së grupeve në Mexico City, Guadalajara dhe Monterrey. Pjesa tjetër e turneut do mbahet në 11 qytete në të gjithë SHBA-në.

Toronto, Mexico City dhe Los Angeles do presin ndeshjet hapëse të ekipeve të tyre kombëtare përkatëse.

Stadiumi i hapur për finalen, që u përurua në vitin 2010 dhe ka një kapacitet prej 82,500 vendësh, priti finalen e Copa America Centenario në 2016 kur Kili i mohoi Argjentinës së Lionel Messit fitimin.

FIFA nuk ka shpallur oraret e fillimit të ndeshjeve.

Stadiumi “Azteca” i Mexico City do presë ndeshjen hapëse të turneut më 11 qershor, kur Meksika do bëhet kombi i parë që organizon Kupën e Botës për herë të tretë. Dita e hapjes do të ketë gjithashtu një ndeshje në Guadalajara.