Vendosni fjalën kyçe....

Konjufca: Dinari dhe përdorimi i tij është dashur që të ndërpritet që kur Serbia është larguar nga Kosova


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se dinari dhe përdorimi i tij është dashur të ndërpriten që nga koha kur Serbia është larguar nga Kosova në vitin 1999.

Konjufca në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se dinari ka qenë gjithmonë ilegal, por që ai është përdorur në forma të ndryshme prej institucioneve paralele. Ai gjithashtu tha se vendimi për ndalimin e dinarit ka qenë i BQK-së dhe se ndërhyrja në vendime të institucioneve të pavarura do të ishte e dëmshme për rendin kushtetues të Kosovës.

“Dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur që të ndërpritet që kur Serbia është larguar nga Kosova, pas luftës çlirimtare dhe bombardimeve të NAT0-s në qershor të vitit 1999. Por, prej vitit 2011 askush nuk ka dyshim që edhe me vet-rregullimin institucional të Republikës së Kosovës dhe me rregulloren e ligjet tona, dinari ka qenë gjithmonë ilegal, tjetër gjë që pastaj në forma dhe mënyra të ndryshme është shfrytëzuar dhe është përdorur prej institucioneve paralele që i ka pasur Serbia këtu në Republikën e Kosovës dhe që i ka keqpërdorur ato”, tha Konjufca.

I pyetur në lidhje me shqetësimet e ShBA-së për vendimin, Konjufca tha se ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i ka shprehur shqetësimet se mund të ketë trazira në veri të Kosovës, por që sipas tij, të gjithë ata që tentojnë t’i keqpërdorin vendimet e ligjshme, do të përballen me sundim të ligjit.