Vendosni fjalën kyçe....

Blegtorët në protestë, Konkurrenca siguron prodhuesit për drejtësi, po hetohen fabrikat


Protestat e blegtorëve ditët e fundit që kundërshtojnë uljen e çmimeve nga fabrikat e përpunimit dhe baxhot ka ngjallur interesimin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili po synon të grumbullojë më shumë informacion në kuadër të një hetimi të thelluar mbi tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit për ndërmarrjet Erzeni shpk, Gjirofarma sh.a, ADG shpk, (Lufra) dhe SHAKA Boboshtice shpk.

Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba dhe përfaqësues të AK, kanë zhvilluar një takim në zonën e Fierit me blegtorët të cilët prej ditësh janë duke zhvilluar disa protesta të natyrës ekonomike.

Sipas njoftimit zyrtar të AK, takimi u zhvillua në kuadër të shqetësimeve të blegtorëve lidhur me uljen e çmimit të qumështit nga fabrikat përpunuese, ulje kjo e cila sipas tyre tregon për një situatë konkurrence jo të drejtë dhe që ka sjellë krizë financiare duke detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset.

Autoriteti i Konkurrencës, aktualisht ka vënë nën hetim të thelluar tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit për ndërmarrjet e mëdha.

“Nëpërmjet këtij hetimi por dhe dëgjesave me palët e interesuara dhe të prekura nga kjo situatë, Autoriteti i Konkurrencës do të evidentojë nëse ka apo jo shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës dhe në rast konstatimi të shkeljeve do të marrë masat përkatëse në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9121 dt. 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Sot blegtorët protestuan në aksin nacional Levan-Vlorë, të cilin e bllokuan për pak kohë, teksa policia ka arrestuar pesë blegtorë.

Blegtorët e deleve dhe dhive e kanë shitur një litër qumësht në vitin 2023 me 180 lekë, teksa janë lajmëruar se këtë vit çmimi maksimal do të jetë 120 lekë.

Blegtoret protestues pohojnë se, ulja e çmimit do të thotë faliment. Në një kohë që çmimet e lëndëve të para nuk janë ulur dhe mungojnë subvencionet shtetërore ulja e çmimit me 33 % e kërkuar nga fabrikat do ti penalizojë tufat e të imtave që po shkojnë drejt zhdukjes. Blegtorët e të imtave kërkojnë që çmimi dysheme të jetë 160 lekë për litër.

Teksa përpunuesit po kërkojnë uljen e çmimeve ndaj blegtorëve, nga ana tjetër vijojnë të mbajnë të larta çmimet e shitjes në markete. Aktualisht një litër një kos i lopës në tregjet e pakicës kushton nga 180- deri në 300 lekë për paketimet në qelq.

Vitin e kaluar çmimi me pakicë e bulmetit u rrit me rreth 15%, teksa inflacioni mesatar ishte 4.7%.

Blegtoria shqiptare prej vitesh po përjeton krizë, pasi numri i krerëve është përgjysmuar në dekadën e fundit. Blegtorët kanë vendosur të adresojnë problematikat e tyre me protesta.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor