Vendosni fjalën kyçe....

4 të arrestuar dhe 2 të proceduar në Korçë për vepra të ndryshme penale


Katër persona janë arrestuar sot në Korçë pasi akuzohen për një sërë veprash të ndryshme penale, ndërsa janë proceduar penalisht 2 të tjerë.

 

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë/Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë ndaluan shtetasin në kërkim V. I., 26 vjeç, banues në Korçë, pasi më datë 24.12.2023, në lagjen nr. 1, Korçë, ka vjedhur 50 000 lekë, në banakun e një lokali.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin H. Y., 35 vjeç, banues në Kapshticë, Devoll, pasi u kap në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e shtetasit në kërkim B. B., 52 vjeç, banues në fshatin Ravonik, Korçë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë e ka dënuar me 5 muaj burgim, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin J. L., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi ka dalë jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. H., 25 vjeç, banues në fshatin Floq dhe A. A., 19 vjeç, banues në fshatin Mollaj, Korçë, pasi në bulevardin “Republika”, Korçë, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.