Vendosni fjalën kyçe....

Dokumenti/ Mirel Mërtiri kallëzoi në SPAK e ILD prokurorin Klodian Braho: Gënjeu në veting, fshehu shoqërimin me trafikantë


Mbrëmjen e djeshme, biznesmeni Mirel Mërtiri lëshoi akuza të rënda ndaj prokurorit të SPAK-ut Klodian Braho lidhur me çështjen e inceneratorëve.

I ftuar në emisionin Çim Peka Live, ku qëndroi për gati 3 orë e 15 minuta, ai tha se Braho kishte stisur gjithë dosjen e inceneratorëve ndaj tij dhe familjarëve të tij për ta goditur atë personalisht duke i shërbyer personave në politikë ose personave të tjerë privatë.

Mërtiri deklaroi se Braho kishte gënjyer organet e vetingut pasi nuk kishte deklaruar se kishte udhëtuar jashtë vendit me trafikantë dhe e kishte fshehur këtë gjë. Gjatë emisionit ai tha se e kishte kallëzuar në SPAK këtë gjë duke treguar edhe një dokument që vërtetonte pretendimin e tij.

Sipas kallëzimit në SPAK, që mban datën 28 nëntor 2023, Braho në cilësinë e drejtuesit të mjetit, ka udhëtuar në Greqi me tre persona të tjerë njëri prej të cilëve, Ervis Gavelli, i hetuar nga prokuroria e i dënuar si pjesë e një grupi kriminal në Holandë që është marrë me trafik lëndësh narkotike.

Kallëzimin në fjalë, Mërtiri e ka çuar edhe në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, ai përsëriti disa herë se ka kërkuar të japë dëshminë e tij në SPAK dhe se ka dërguar disa kërkesa për këtë, por ka marrë deri tani përgjigje të cilat i cilësoi si “qesharake”.

*Padinë e Mërtirit në SPAK ndaj prokuroria Klodian Braho e lexoni këtu: PADIA SPAK