Vendosni fjalën kyçe....

E linçoi publikisht, pronari i TV në Vlorë ballafaqohet me gazetaren


10 ditë pas ngjarjes së rëndë në Vlorë ku një 26-vjeçare u përdhunua nga 3 të rinj, janë ballafaquar në emisionin “Opinion” gazetarja e Fax News Afrovita Hysaj dhe pronari i televizionit “6+1 Vlora Tv” Albert Deliaj.

Ky i fundit ka publikuar një artikull në portalin e medias që drejton me fjalë denigruese për gazetaren Hysaj pasi sipas tij ajo ka shpërndarë një lajm të pavërtetë, duke e cilësuar djalin e Deliajt si ‘përdhunues’.

Këtë gjë, gazetarja e mohon në formë absolute duke shtuar se pa pasur asnjë fakt për këtë akuzë, zoti Deliaj e ka telefonuar duke e kërcënuar e ofenduar.

Pjesë nga biseda:

Afrovita Hysaj: Ka qenë telefonatë shokuese për mua. Pas publikimit të këtij lajmi, që janë 4 persona të përfshirë dhe jo 3 persona. Prokuroria, gjykata duhet të nxitojnë me veprimet ndaj hetimit për rastin e vajzës, këtë e kam përdorur sigurisht në median që punoj dhe në një portal për të cilin shkruaj. Duke mos përmendur asnjëherë asnjë emër dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Fatmirësisht ekzistojnë screenshotet që janë të shumta. Asnjëherë s’kam përmendur asnjë emër dhe kam marrë një telefonatë nga zotëria që kam njohje, se prej vitesh punoj në Vlorë. Një telefonatë që nuk ishte për të krijuar sqarim, as për të pyetur se çfarë kishte ndodhur, por ishte një telefonatë me tone të ashpra dhe fjalor fyes.

Albert Deliaj: Zonja Hysaj dhe pardje pas gjyqit tha se aludohet për djalin e filanit, e tha prapë dhe njëherë.

Afrovita Hysaj: Ka ndonjë provë?!

Albert Deliaj: Nuk mund ta pranoja dot atë sepse jemi të fyer të gjithë si familje.

Afrovita Hysaj: Dhe çfarë bëtë?

Albert Deliaj: Kryeredaktori i televizionit tonë ka takuar Afrovita Hysajn te Pallati i Sportit dhe i ka thënë “çfarë po shkruan për djalin e Bertit se është në burg dhe nuk është në Vlorë?”. Kjo i tha dy herë “ka dalë, por ti nuk e di”. Kjo vajzë!

Afrovita Hysaj: Pas telefonatave, asnjëherë duke kërkuar të dijë se çfarë ka ndodhur…

Albert Deliaj: Kam deklaratën e policisë, nuk do të të pyes ty se çfarë kishte ndodhur! Kam 25 vjet që drejtoj televizionin…

Afrovita Hysaj: Nuk kam reaguar sigurisht, aspak.

-E keni përmendur emrin e djalit?

Afrovita Hysaj: Absolutisht në asnjë moment! Kanë qenë portale të tjerë që kanë përmendur emrin e djalit të zotërisë dhe këta ashtu sikurse Deliaj thotë paskan thënë se emrin e kam përmendur unë. Po një provë, një fakt? Do vazhdoj t’i mëshoj fort, në asnjë moment nuk e kam përmendur emrin e djalit. Ditën e nesërme zoti Deliaj ka publikuar një lajm me fjalët më fyese që mund të ekzistojnë dhe mund të përmbajë fjalori shqip, në drejtimin tim. Duke më quajtur dhe vendosur epitete nga më të ndryshmet e pazare nga më të ndryshmet. Zotëria ka shkruar, ka pasur kohën e mjaftueshme dhe për të reflektuar mbi atë që po shkruante dhe nuk e di se…Më besoni nuk e kam lexuar dot deri në fund shkrimin. Pse nuk më denoncoi zotëria për shpifje nëse ka një provë?!

Albert Deliaj: Ishte “Prost” lajm, përderisa lajmi nuk është i vërtetë. Çfarë lajmi është ai?!