Vendosni fjalën kyçe....

Punimet përgatitore për shpimin e pusit Durmrea Deep-1 nisin në dhjetor


Kompania Eni Albania parashikon që në nëntor të zhvillojë konsultimet sa i takon punimeve që do të nisin për shpimin e pusit  Dumrea Deep-1. Në një dokument të dorëzuar pranë autoriteteve, kompania e cila ka një marrëveshje hidrokarbure me ndarje prodhimi me qeverinë shqiptare bën me dije se vendndodhja e pusit kërkimor të naftës do të jetë mes dy fshatrave.

“Zona e shpimit të pusit të propozuar ndodhet në luginën e lumit Shkumbin, pranë fshatrave Papër dhe Valasi, në afërsi të rrugës SH59, menjëherë pas urës në kryqëzim me rrugën SH7 (Elbasan – Papër – Cërrik. Vendbanimet më të afërta me zonën e projektit janë fshati Papër afërsisht 700 m në verilindje të sheshit të pusit dhe fshati Valasi afërsisht 600 m në jug të sheshit të pusit. Fshati Murras ndodhet 1.4 km në veriperëndim nga sheshi i shpimit. Në afërsi të sheshit të pusit ndodhen pak shtëpi të shpërndara, në anën e kundërt të rrugës SH59 në një distancë të përafërt prej 100 m në jug të sheshit të pusit)” thuhet në dokument.

Ky i fundit nënvizon se qëllimi i projektit është të vlerësojë praninë e rezervuarit naftëmbajtës (që pritet të jetë midis 5,000 – 6,500 metra thellësi në tokë), përmes pusit kërkimor “Dumrea Deep-1”, i cili do ta ketë vendndodhjen në Papër (Bashkia Elbasan).

“Projekti ndodhet brenda Bllokut Dumre, në një zonë që edhe më parë ka shprehur interes për shpimin e puseve kërkimore për naftë. Blloku Dumre mbulon në sipërfaqe prej 587 km2 dhe ndodhet në rajonin e Dumresë, në tokë, në zonën e Shqipërisë së mesme, afërsisht 40 km në jug të kryeqytetit Tiranë” nënvizohet në përmbledhjen e kompanisë.

Në një pjesë të veçantë kompania nënvizon afatin kohor për zbatimin e projektit duke e përmbledhur në disa pika.

“Afati aktual i mundshëm i projektit për pusin kërkimor “Dumrea Deep-1” përfshin:

Punimet përgatitore: parashikohen të nisin në dhjetor 2023 dhe të përfundojnë në maj 2024;

Mobilizimi: zhvendosja e sondës së shpimit dhe pajisjeve ndihmëse në sheshin e shpimit, montimi i sondës së shpimit, inspektimi dhe miratimi nga palë të treta të kualifikuara i të gjithë sistemit nga mesi i vitit 2024 (afërsisht 25-30 ditë);

Koha e shpimit: Duke filluar brenda gjysmës së dytë të vitit 2024 (kohëzgjatja totale e parashikuar e pusit duke përfshirë montimin e sondës, pranimin e sondës, etj. përafërsisht 275 ditë).

Në fund të operacioneve, pusi do të izolohet dhe sheshi do të rikthehet në gjendjen e përdorimit të tij fillestar (gjendja përpara nisjes së operacioneve të shpimit). Procedurat e braktisjes së pusit, d.m.th., çmontimi i sondës së shpimit dhe demobilizimi i pajisjeve dhe shërbimeve normalisht kërkon 15-20 ditë.

Qeveria e cila kishte kohë që nxirrte për interes Blloqe të lira nafte arriti të nënshkruante me kompaninë italiane ENI në 2019-ën një marrëveshje me kushte të reja sipas kuadrit të ri ndryshe nga ato ekzistuese dhe ku pritet që Shqipëria të përfitojë më shumë. Kjo do të thotë se në rast zbulimi naftë dhe nisje prodhimi vendi ynë përfiton që në fuçinë e parë dhe jo në pritje të nxjerrjes së investimit nga ana e kompanisë.

Në atë kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja qeveria shqiptare deklaroi se është rënë dakord me kompaninë që përftimi të mos jetë vetëm në aspektin financiar duke marrë më shumë para në buxhet, por edhe sa i takon kapitalit njerëzor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor