Vendosni fjalën kyçe....

Sherr në Krujë për shqetësimet nga gurorja, përfundojnë në spital dy persona


Një konflikt me sende të forta ka ndodhur ditën e sotme në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë, ku janë dëmtuar dy shtetas të cilët ndodhen në spital.

Shkak për këtë konflikt dyshohet se janë bërë punimet me plasje në një gurore , e cila ka krijuar shqetësime për banesat aty pranë.

Ndërkohë policia e Krujës ka shoqëruar në polici shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.

Njoftimi:

Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr.

Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J.  M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimin e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.