Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina akuzon Poloninë për shkeljen e marrëveshjes


Kievi ka kritikuar vendimin e Varshavës për të vendosur një ndalim ndaj grurit dhe produkteve të tjera bujqësore ukrainase, duke e akuzuar atë për shkelje të një marrëveshjeje të arritur nga të dy vendet këtë muaj.

Polonia vendosi kufizimet më herët gjatë ditës, duke përmendur nevojën për të mbrojtur tregjet lokale nga ‘destabilizimi’ i shkaktuar nga fluksi i produkteve të lira nga Ukraina.

Ministria e Bujqësisë e Ukrainës pretendoi se masa shkelte një marrëveshje të arritur javën e kaluar në vazhdën e protestave masive nga fermerët polakë. Në atë kohë, Varshava tha se Kievi ‘kishte rënë dakord të kufizonte dhe, tani për tani, të ndalonte eksportet në Poloni’.

“Ne e kuptojmë se fermerët polakë po përballen me një gjendje të vështirë, por ne po theksojmë se tani gjendja më e vështirë është për fermerët e Ukrainës,” tha ministria, duke shtuar se ‘zgjidhja e çështjeve të ndryshme me veprime drastike të njëanshme nuk do përshpejtojë një zgjidhje pozitive të gjendjes’.

Në të njëjtën kohë, ministria i bëri thirrje Varshavës që të arrijë një marrëveshje të re për këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur, duke adresuar shqetësimet e të dyja palëve.

Duke shpallur ndalimin, kryetari i Partisë në pushtet të Polonisë për Ligjin dhe Drejtësinë (PiS), Jaroslaw Kaczynski, këmbënguli se vendi dhe liderët e tij mbeten ‘miq dhe aleatë të pandryshuar të Ukrainës’.

Më vonë gjatë ditës, një vend tjetër i Evropës Lindore, Hungaria, vendosi një ndalim të vetin për importet bujqësore ukrainase. Duke njoftuar masën, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se kufizimet ishin të nevojshme pasi status quo-ja do shkaktonte dëme të rënda për fermerët vendas.

Vitin e kaluar, produkteve bujqësore nga Ukraina u lejuan të hyjnë pa doganë në bllok, me Brukselin që e reklamoi masën si një mënyrë për të ndihmuar Ukrainën të arrijë klientët e saj në Lindjen e Mesme dhe Afrikë në mes të konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e prodhimit përfundoi në Evropën Lindore, duke krijuar pengesa logjistike dhe duke i çuar çmimet në një spirale në rënie, me situatën që prek prodhuesit vendas.