Vendosni fjalën kyçe....

Rusia do rrisë eksportet e qymyrit në Kinë


Kompania Siberiane e Energjisë së Qymyrit SUEK, eksportuesi më i madh rus i karburantit fosil, do rrisë ndjeshëm shitjet në Kinë në vitin 2023, u tha gazetarëve të shtunën shefi i kompanisë.

Sipas Maxim Basov, SUEK ‘synon të trefishojë furnizimet e saj në tregun kinez’ këtë vit, duke i çuar vëllimet e eksporteve në më shumë se 20 milionë ton.

“Tregu kinez është shumë i rëndësishëm për ne. Vitin e kaluar tregu ynë kryesor ndërkombëtar ishte Koreja e Jugut dhe më parë Bashkimi Evropian, por këtë vit mendoj se Kina do e kalojë Korenë dhe do bëhet tregu ynë kryesor i eksportit”, tha ai.

Ai vuri në dukje se në planin afatgjatë, SUEK mund të rrisë shitjet e qymyrit në Kinë në 50 milion ton në vit. Këto plane do realizohen nëse çmimet me të cilat Kina blen qymyrin rus mbeten tërheqëse për eksportuesin rus dhe nëse tarifa zero e importit mbetet në fuqi, shtoi ai.

“Kina do vazhdojë të importojë rreth 300 milionë ton qymyr në vit. Furnizuesi më i madh i Kinës është Indonezia. Rusia doli e dyta vitin e kaluar për sa i përket furnizimeve dhe nga të gjitha kompanitë ruse, ne ishim më të mëdhenjtë”, tha Basov.

Basov, i cili aktualisht ndodhet në Kinë për një udhëtim pune, shtoi se gjatë ditëve të fundit kompania e tij nënshkroi një sërë kontratash afatgjata me prodhuesit kryesorë kinezë të makinerive minerare.

“Mendoj se në muajt e ardhshëm furnizimi ynë me pajisje minerare do rritet shumëfish…Në përgjithësi, bashkëpunimi ynë me Kinën do rritet si në drejtim të eksporteve tona në Kinë ashtu edhe në aspektin e importeve të pajisjeve nga Kina,” shtoi ai.

Rusia rriti eksportet e qymyrit në Kinë me 11.2% në 59.5 milionë ton në vitin 2022. Masa ishte pjesë e përpjekjeve të Moskës për të riorientuar tregtinë e saj pas ndalimit të BE-së ndaj qymyrit rus, të vendosura mes sanksioneve të lidhura me Ukrainën vitin e kaluar.

Kina po rrit konsumin e qymyrit dhe rrjedhimisht edhe importet e qymyrit, teksa aktiviteti i saj industrial po rimëkëmbet pas heqjes së kufizimeve të Covid-19.