Vendosni fjalën kyçe....

Tanket gjermane mbërrijnë në Ukrainë – ‘Der Spiegel’


Ushtria ukrainase ka marrë 18 tanke luftarake ‘Leopard 2’ nga Gjermania, raportoi të hënën ‘Der Spiegel’. Kievi ka marrë tashmë tanket nga Polonia, por analistët perëndimorë thonë se do t’i duhen disa herë më shumë tanke se sasia e tanishme për të pasur ndikim në fushën e betejës.

Tanket u larguan nga Gjermania javën e kaluar dhe u dorëzuan në një vend të pazbuluar përgjatë kufirit të Ukrainës, raportoi revista, duke cituar burime anonime. Ndërsa vendndodhja e saktë e dorëzimit nuk u bë e qartë, shumica e armëve të furnizuara nga Perëndimi deri më sot kanë hyrë në Ukrainë nëpërmjet Polonisë.

Pas muajsh ngurrimi, qeveria gjermane njoftoi në janar se do dërgonte ‘Leopardët’ në Ukrainë dhe do autorizonte vendet e tjera evropiane të dhuronin tanket e prodhuara nga Gjermania. Që nga ajo kohë, ekuipazhet e tankeve ukrainase kanë marrë rreth dy muaj stërvitje mbi ‘Leopardët’.

Polonia tashmë i ka dhuruar Ukrainës 14 tanke Leopard 2, pasi i ka dhënë ekuipazheve të saj një periudhë stërvitjeje të shkurtër prej pesë javësh.

Ndërkohë, SHBA synon të furnizojë forcat e Kievit me tanke ‘M1 Abrams’ deri në fund të vitit 2023, ndërsa Britania aktualisht po stërvit ushtarët ukrainas për të përdorur tanket e saj të betejës ‘Challenger 2’, përpara dorëzimit të tyre të planifikuar në javët e ardhshme.

Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky deklaroi në janar se ushtria e tij ka nevojë për rreth 500 tanke për të zbrapsur forcat ruse, një vlerësim me të cilin pajtohen edhe analistët perëndimorë.