Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i nënës lehonë në Shkodër nxit debate në Kuvend, deputetja e PD-së: Këtu kriminelët shëtisin rrugëve, duhet reagim


Arrestimi i një nëne në Shkodër, që kishte lindur fëmijën e saj një javë më parë është bërë temë debati në Kuvend.

Deputetja e PD-së Dhurata Çupi tha se veprimi është thyerje e rëndë e Kodit Penal teksa shtoi se në vend shëtisin të lirë kriminelë.

“Si mundet që të thyhet kaq rëndë kodi penal. Rasti i burgosjes së një nëne që ka një foshnje 1 vjeç është i rëndë. Sot krimi është rrugëve, të korruptuarit është rrugëve, vrasësit janë rrugëve dhe arrestohet një nënë duke e ndarë nga foshnja. Kjo është një çështje sensitive. Duhet të ketë një debat të fortë ku institucionet shtetërore duhet të japin llogari lidhur me këtë ngjarje. Këtu para disa ditësh u festua 8 marsi ku nuk ngeli qeveritar duke bërë statuse ndoshta edhe me fotot të rreme për like, por sot nuk ka asnjë reagim. Seanca sot duhet të fillonte me një reagim.” – tha deputetja Çupi.

Nëna Diana Bahçja nga fshati Drisht, u arrestua nga policia e Shkodrës duke e shkëputur nga djali i saj vetëm 8 ditësh pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë 250 mijë lekësh në vitin 2020, duke ia konvertuar një javë më pare me burg, një muaj e 20 ditë.