Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për Primaret: Nuk ishte proces i përsosur, kishte lobim dhe pranohet, por jo nga kryetari dhe drejtuesit kryesorë


Në mbledhjen e sotme të grupit palamentar të PD-së, Sali Berisha ka folur për procesin e primareve.

Ai pranoi se procesi nuk ka qenë i përsosur. Berisha është përgjigjur dhe për akuzat dhe kritikat për lobim, duke thënë se lobimi është pjesë e procesit.

Kryedemokrati tha se kjo është normale edhe pse s’e mbështet, por kryetari i partisë thekson se nuk duhet të lobojë, as drejtuesit e tjerë kryesorë të partisë sepse kjo sipas tij do ta cenonte barazinë.

“Duke thënë të shkëlqyer nuk mund të them dhe nuk pretendoj fare që këto të ishin primaret të përsosura. Këto ishin primare në të cilat morën pjesë më shumë se 200 kandidatura, në tërësi personalitete politike të PD, por edhe anëtarë të shquar të shoqërisë civile, edhe ekselenca shqiptare që jetojnë dhe punojnë në kryeqytete të Europës, Bruksel, Londër etj.

Në çdo lloj varianti që të analizosh, primaret janë forma në genuine, më institucionale, më e drejtë e hapjes së partisë. Në këto primare janë pranuar me vetëdeklarim apo propozim nga degët apo anëtarësia, të gjithë ata të cilët kanë plotësuar kriteret elementare për të marrë pjesë në garë.

Thashë dhe më sipër që nuk ishin këto të përsosura, por praktika e fituar me këto primare, problematik e dala janë një pasuri e çmuar për ne për t’i përsosur ato në raundet e tjera të zgjedhjeve. Pra jo që të mos tërhiqemi prej tyre, por të bëjmë gjithçka që kjo praktikë të konsolidohet transparente, e ndershme, e barabartë për kandidatët.

Dua të ua them këtu, jemi në hapat e parë dhe normale ndjeshmëritë, por gradualisht anëtarët, simpatizantë e PD, duke lexuar për këtë proces do të gjejnë se lobimi ndonëse unë personalisht nuk e këshilloj dhe mbështes, por është absolutisht pjesë konstante e procesit.

E them këtë sepse secili që e merr përsipër që të garojë, duhet ta dijë se rivali i tij do të mund të mobilizojnë, persona, grupe, personalitet të partisë, jashtë partisë për të krijuar një impakt sa më pozitiv për kandidaturën e tij dhe për këtë duhet të mësohemi.

Sikur, persona, grupe interesi kanë të drejtën e tyre të lobojnë për kandidatin që duan. Por këto janë të parat. Natyrisht nuk besoj se kryetari i partisë duhet të lobojë, drejtuesit kryesorë të partisë duhet të lobojnë se kjo do ta cenonte barazinë dhe ju siguroj se në mënyrën më absolute, asnjë lloj anësimi në këtë garë nuk kam pasur dhe nuk ka pasur nga drejtuesit kryesorë të partisë.”- tha Berisha.