Vendosni fjalën kyçe....

Blindohet bulevardi, forca të shumta policie mbikëqyrin gjithçka


Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ është blinduar nga forca të shumta policie.

Bllokimi i qarkullimit në rrugë të caktuara ka nisur që ditën e djeshme ndërsa sot bllokimi është i plotë në zonën e caktuar si perimetër sigurie, përreth kryeministrisë, Pallatit të Kongreseve e zonave përreth.

Ndërkohë pasditen e sotme opozita ka njoftuar protestën e saj megjithatë mbetet pikëpyetja ku do zhvillohet ajo duke qenë se bulevardi është thuajse i gjithi i bllokuar.

Krerët e opozitës kanë thënë në disa raste se qytetarët do mblidhen në bulevard për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese e për t’u treguar zyrtarëve evropianë se janë ulur në tavolinë me një hajdut të popullit të tij, me një person që bashkëpunon e qëndron në pushtet falë bashkëpunimit me krimin e organizuar e trafikantët e drogës.

Policia e Shtetit deklaroi dy ditë më parë përmes drejtorit Rrumbullaku se protesta nuk do zhvendoset as do ndalohet por perimetri i sigurisë për ruajtjen e delegacioneve ka përparësi.