Vendosni fjalën kyçe....

Deputetja e PD-së në protestë: Ta dijë mirë Mirela Kumbaro, nuk do të ketë tarifë as të lartë e as të ulët


Nga protesta e sotme banorëve të Divjakës, deputetja e Partisë Demokratike, Ilda Dhori i dha një mesazh ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Dhori tha se ministrja duhet të hiqte dorë nga vendimi për vendosjen e traut që të çon drejt parkut të Divjakës, e njëjta rrugë që të çon edhe në plazh. Deputetja demokrate u shpreh se kjo është një protestë pa ngjyrime politike, edhe pse në protestë ka shumë figura të opozitës.

“Jemi pro për këtë kauzë, kundër bllokimit të hyrjes në park dhe kundër hyrjes në plazhin e Divjakës. Është kauzë jo vetëm për Divjakën, por edhe për gjithë shqiptarët.

Kjo është protestë pa ngjyrime politike, por për të gjithë shqiptarët. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ministren, por kur doja ta ngrija këtë kauzë në Kuvend, ministrja kishte ikur.

S’ka asnjë koment apo argument për këtë shkelje, arbitraritet që po i bëhet këtyre njerëzve, të punës dhe që shohin vendin e tyre. Po i shkelet dinjiteti. Nuk flitet për tarifën, pasi nuk do të ketë as të ulët as të lartë, këtë ta dijë mirë zonja Kumbaro. Ne flasim për dinjitetin e qytetarëve, të cilët do të lëvizin lirisht në parkun e tyre.”- tha Dhori.