Vendosni fjalën kyçe....

Ujësjellësi i Tiranës me normë fitimi 20% vitin e kaluar, rezultati neto 7.5 mln euro


Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës, më e madhja në vend me pronësi publike edhe vitin e kaluar rezultoi me fitim të kënaqshëm, me një normë mbi mesataren e tregut.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në fund të vitit 2021, për UKT sh.a niveli i të ardhurave ishte 4,347 milionë lekë dhe shpenzimet 3,461 milionë lekë.

UKT regjistroi një fitim neto pozitiv prej 886 milionë lekë për vitin 2021 (7.5 mln euro). Norma e fitimit është 20 për qind.

Ministra e Financave ka pohuar se, ky trend pozitiv vazhdoi dhe në gjashtë mujorin e vitit 2022, ku të ardhurat e UKT sh.a arritën në rreth 2,151 milionë lekë ndërsa totali i shpenzimeve ishte rreth 1,757 milionë lekë. Kjo tregon një vazhdimësi të ecurisë pozitive të kompanisë ku fitimi neto për periudhën rezultoi me rreth 395 milionë lekë, referoi Ministria e Financave.

Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve në Tiranë paraqet një rëndësi të shumëfishtë strategjike për vendin. Së pari ajo ofron një shërbim jetik për popullsinë e Kryeqytetit siç është furnizimi me ujë dhe nga ana tjetër ajo paraqet rëndësi për stabilitetin fiskal në vend për shkak të madhësisë dhe pronësisë publike. UKT ofron shërbime utilitare dhe fitimet e saj duhet të jenë të ulëta dhe më pak se mesatarja e tregut për shkak edhe të natyrës së pronësisë.

UKT për disa vitesh rresht rezulton me norma fitimi të larta, pasi kostot e prodhimit janë të lira.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Ujit, ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës ka një normë arkëtimi 84 për qind, e pesta në radhë. Bashkitë me përformacën më të mirë të arkëtimeve janë Ujësjellësi i Kamzës me 98.4%, i Lezhës me 90.1%, Pogradecit me 90.6 % dhe Beratit me 84.7%. Përformanca financiare e këtyre ndërmarrjeve është më e dobët se Ujësjellësit të Tiranës, pasi tarifat e ujit janë më të ulëta.

Rezultati financiar i UKT u përmirësua ndjeshëm pas rritjes së tarifave në janar të vitit 2018. Qytetarët e Tiranës e paguajnë 65 lekë për një metër kub ujë, institucionet publike do paguajnë 140 lekë për  metër kub, ndërsa ato privatë 155 lekë për metër kub. Ky nivel tarifat është rreth 40 për qind më i lartë se para vitit 2018 dhe disa herë më i lartë se tarifat që ndërmarrjet e ujësjellësit ofrojnë në bashkitë e tjera.

Sektori i ujësjellësve është përfshirë në një reformë që synon të rigrupojë ndërmarrjet nga 62 që janë aktualisht në rreth 15 të tilla.  Kjo reformë synon të rrisë eficensën dhe administrimin e tyre, pasi shumica janë me humbje dhe janë bërë shkak për rritjen e detyrimeve të prapambetura.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor