Vendosni fjalën kyçe....

Aktiviteti i spitaleve dhe poliklinikave nuk u kthye në nivelin para pandemisë as në vitin 2021


Pandemia Covid-19 tkurri aktivitetin spitalor si rrjedhojë e masave kufizuese në vitin 2020, por edhe në vitin 2021 kur liria e lëvizjes u kthye në normalitet, aktiviteti spitalor mbeti më i ulët se para pandemisë.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, gjatë vitit 2021 në institucionet publike të shërbimit spitalor numri i të shtruarve është 244 784 pacientë me një rritje me 21 për qind nga viti 2021, por sërish shtrimet nuk arritën nivelin e para pandemisë, pasi ishin rreth 13 % më të ulëta.

Me ndërtimin e spitalit “Memorial” në Fier u rrit kapaciteti i shtretërve. Në vitin 2021, numri i spitaleve publik dhe jopublik në vend është 59, nga të cilët 43 janë spitale publike dhe 16 spitale private. Mbulimi i shërbimit spitalor publik dhe jopublik është 2 spitale për 100 mijë banorë dhe numri i shtretërve spitalorë publik dhe jopublik është 9 363 ose 3.3 shtretër për 1.000 banorë.

Ditët e qëndrimit mesatar të një pacienti janë 5.1 ditë në vit me një xhiro të shtratit 28.8 herë pacientë në vit. Shfrytëzimi i shtratit për kujdes shëndetësor gjatë vitit 2021 është 146.8 ditë, të cilat përbëjnë 40.2 % të ditëve kalendarike të këtij viti. Nga totali i pacientëve të shtruar, 23.1 % e tyre kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale

Rritet aktiviteti në shërbimin parësor

Në vitin 2021, numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor është 8 144 504 mesatarisht 2.9 kontakte për person në vit.

Numri i vizitave shënon një rritje me 10.8 %, krahasuar me numrin e vizitave në vitin 2020. Gjatë vitit 2021, ditët mesatare të qëndrimit të një pacienti në spital ishin 5.1 ditë. Në institucionet publike të shërbimit spitalor janë kryer 56 622 ndërhyrje kirurgjikale, 22.1 % më shumë, krahasuar me një vit më parë.

Kujdesi shëndetësor parësor Në vitin 2021, kanë operuar 413 qendra shëndetësore të degëzuara në 2 059 ambulanca dhe 46 poliklinika të specializuara. Nga 8 144 504 vizita gjithsej në shërbimin parësor, 42.8 % janë kryer në qendrat shëndetësore, 20.3 % në ambulanca dhe 37.0 % në poliklinika. Përgjatë 5 viteve të fundit, vihet re pothuajse e njëjta shpërndarje në numrin e vizitave. Mbi 40 % e vizitave në qendrat shëndetësore dhe ambulancat janë kryer nga personat mbi 60 vjeç.

Rritet konsultat për gratë dhe fëmijët

Në vitin 2021, numri i vizitave në konsultorin e gruas është 224 790, duke shënuar një rritje me 5.8 %, krahasuar me vitin 2020. Nga totali i vizitave, 81.5 % janë vizita obsetrikale, nga të cilat 61.0 % janë realizuar me asistencë të mjekut specialist. Numri i vizitave të para obsetrikale është 25 900, ose 9.6 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.

Konsultori i fëmijëve Në vitin 2021, në konsultorin e fëmijëve janë regjistruar 257 054 fëmijë dhe janë kryer 745 746 vizita, mesatarisht 2.9 vizita për fëmijë në vit. Krahasuar me vitin 2020, numri i vizitave është rritur me 5.3 %. Nga totali i vizitave, 55.6 % e tyre janë realizuar me asistencë të mjekut specialist dhe pjesa tjetër janë ndjekur nga mami dhe infermierë. Numri i fëmijëve 0-1 vjeç që ushqehen vetëm me gji gjatë vitit 2021 është 19 660, ndërkohë numri i fëmijëve që ushqehen vetëm me ushqim artificial është 4 597.

Mbulesa vaksinale është në nivelet mbi 95.0 % për shumicën e antigenëve vaksinal, duke përmbushur kështu dhe kriterin bazë ku çdo antigen vaksinal duhet të jetë mbi 95.0 % në nivel kombëtar. Këtë vit vërehet një ulje e mbulesës vaksinale ndaj Difterisë, Tetanozit dhe Pertusit me 2.7 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al