Vendosni fjalën kyçe....

Berisha e Meta firmosin marrëveshjen PD-PL për zgjedhjet lokale


Kreu i PD-së Sali Berisha dhe lideri i PL-së, Ilir Meta sot kanë firmosur sot marrëveshjen mes dy partive pas takimit që zhvilluan kokë më kokë, për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.

Marrëveshja PD-PL përmban 6 vendime.

Sipas vendimit të parë, konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Berisha e Meta në një konferencë të përbashkët për shtyp, u shprehën të bindur në fitoren e zgjedhjeve lokale.

Kryedemokrati theksoi se çdo gjë do bëhet sipas marrëveshjes së firmosur sot, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama nuk ka guximin që të dalë në konferencë dhe të tregojë sesi do hyjnë në zgjedhjet e ardhshme.

 “Çdo gjë mbi bazën e kuadrit të marrëveshjes do përcaktohet nga grupet që do merren me zbatimin e marrëveshjes. Një gjë është e sigurt, që marrëveshja synon fitoren. Kjo është marrëveshja e fitores. Shkoni pak, le të bëjë një konferencë po ia mbajti pala tjetër. Pala tjetër nuk del dot, ta marrë Erionin Rama dhe të thotë si hyjnë në këtë fushatë. Kjo është përgjigja ime.”– tha ai.

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta nga ana tjetër u pyet ”sa bashki mendoni se do t’i dhuroni koalicionit që do të garojë më 14 maj?”. Por ai u shpreh se marrëveshja e sotme nuk është për ndarje pushtetesh dhe se çdokush që dëshiron të kandidojë është i mirëpritur dhe do jenë primaret që do vendosin.

“Sa i takon Partisë së Lirisë objektivi është çminimit i këtij regjimi monist në nivel vendor dhe ndëshkimi nga të gjithë qytetarët e Tiranës. Ky është interesi ynë. Ne nuk e shohim këtë marrëveshje për ndarje pushtetesh në nivele vendor. Për ne me rëndësi është të kthejmë besimin e qytetarëve shqiptarë, tek demokracia dhe roli tyre. Fakti që marrim këtë angazhim madhor për çështjen e referendumeve, besoj se është garancia më e mirë për të ardhmen dhe do të realizohet. Për asnjë bashki nuk do të ketë asnjë problem dhe asnjë shqetësim nga ana e PL-së në raport me PD-së apo grupimet e tjera që ajo negocion. Ne respektojmë primaret, kudo ku ka  interes nga kandidatë të PL-së apo pranë PL-së për të kandiduar ne respektojmë primaret dhe nuk do kërkojmë që të lihet një bashki, përkundrazi të gjendet mënyra më e mirë e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në primare.”- u përgjigj Meta. Të dy theksuan vazhdimisht se kandidatët do caktohen nga primaret.

Vendimi i dytë. Një nga pikat e marrëveshjes së tyre ishte edhe Referendumi, si “angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm“, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike për ta realizuar.

Vendimi i tretë, për Këshillat Bashkiakë, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

I pari që mbërriti në ambientet e hotel Tirana ishte kreu i PL-së, Ilir Meta i shoqëruar nga Petrit Vasilit dhe Tedi Blushi.

Në një konferencë për shtyp para firmosjes së marrëveshjes pak më herët, Meta u shpreh:“Me Berishën kemi dakordësi të jashtëzakonshme. Jo vetëm për parimet e bashkëpunimit të opozitës. Nëse PL është faktor vendimtar për këshillat dhe kryetari i primareve del nga PD atëherë kryetari i këshillit do të jetë nga PL. Nëse diku kryetari nga primaret del i PL, atëherë kryetari i këshillit del nga PD. Nëse del nga PAA atëherë do jetë i PAA po kjo do varet nga rezultati i çdo partie. Kjo do krijojë balancë në parlamentin e bashkive në mënyrë që të kemi transparencë.”

Ndërsa Berisha në një prononcim për mediet tha: “Dita e ekzekutimit politik të personit më negativ që ka pasur Tiranë ndonjëherë në qeverisje. Ky është procesi.”

MARRËVESHJE

Ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023

Sot, me datë 27 tetor 2022, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:

  • I. për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;
  • II. të asgjësimit të pluralizimit politik në nivel vendor;
  • III. të shpopullimit masiv dhe tragjik;
  • IV. të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;
  • V. të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.

Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë, dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.

  • Vendosin:
  1. Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
  2. Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.
  3. Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
  4. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
  5. Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.
  6. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.