Vendosni fjalën kyçe....

Hakerat godasin dhe sistemin Memex, dalin të dhënat e gati 100 mijë personave të hetuar nga policia


 

Grupi i hakerave “Homeland Justice” kanë publikuar të tjera të dhëna delikate të policisë që janë marrë pas sulmit kibernetik të shënuar afro një muaj më parë.

Hakerët kanë arritur që të përvetësojnë sistemin Memex, një nga sistemet kyç brenda policisë së shtetit, i cili njihet edhe si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal. MEMEX mban të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal. Ky sistem shërben për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhur, informacionit policor si dhe të dhënave për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacione.

 

Kështu, pas të dhënave të marra nga ky sistem hakerat kanë publikuar një material prej 1.7 giga byte, me 49 file ku janë të dhënat e rreth 100 mijë personave të skeduar në sistemin policor. 

Lidhur me këtë zhvillim, kreu i PD-së Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

Berisha tha se hakerat kanë publikuar sot emrat e 105 mijë shqiptarëve, pjesë e kartotekës 30-vjeçare të policisë duke thënë se ky zhvillim dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafies është në duart e krimit.

“Siç kisha denoncuar këtu, vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror i të gjitha të dhënave të këtij vendi, megjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti që funksionon si shtet i mafies, njoftimi i mëparshëm rezulton 100% i vërtetë. Sot nga sistemi ‘MEMEX’ që përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të dyshuar, hetuar, nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet.

Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata të cilët janë në vëzhgim, në hetim apo shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale. Ky është një moment tejet i rrezikshëm për vendin, që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafies është në duart e krimit. Është një moment në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan e Europë pasi paralajmëron kontigjentet e kriminelëve të saj se janë në ndjekje e mbikëqyrje policore dhe se për të shpëtuar duhet të largohen.” tha Berisha.

Ai shton se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për mbrojtjen e sistemeve, ndryshe nga sa ata pretendojnë.