Vendosni fjalën kyçe....

Dëmtimi i gazsjellësit, Rusia kërkon takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së


Moska do kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ‘provokimet’ në gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2, tha të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në një postim në Telegram. Të dy tubacionet u dëmtuan rëndë në fillim të kësaj jave në atë që shumë dyshojnë se ishte një sulm i qëllimshëm.

Autoritetet daneze konfirmuan rrjedhjet e gazit nga tubacionet jo shumë larg nga ishulli Bornholm në Detin Baltik të hënën pasi operatori raportoi një humbje të presionit në Nord Stream 1 dhe 2. Autoritetet suedeze dhe daneze më vonë konfirmuan një seri shpërthimesh nënujore përpara se të konfirmoheshin rrjedhjet.

Zyrtarët rusë, amerikanë dhe suedezë thanë të gjithë se dëmi mund të ketë qenë rezultat i një sulmi të qëllimtë në infrastrukturën e tubacionit.

Asnjë i dyshuar pas incidentit nuk është emëruar zyrtarisht, megjithëse në një postim në Twitter, ish-ministri i Jashtëm polak Radoslaë Sikorski ‘falenderoi’ Uashingtonin për shkatërrimin e tubacionit. Moska, e cila e quajti incidentin një ‘sulm terrorist’, gjithashtu përmendi SHBA-në si të dyshuar të mundshëm.

Disa deputetë të rangut të lartë gjerman kanë drejtuar gishtin drejt Rusisë, duke e akuzuar atë për përpjekje për të ‘ngjallur pasiguri në mesin e popullatës evropiane’.

Presidenti polak Andrzej Duda kërkoi muajin e kaluar që gazsjellësi ‘të anulohej plotësisht’. Presidenti i SHBA-së Biden paralajmëroi në fillim të shkurtit, përpara se Rusia të fillonte operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, se nëse Moska vepron kundër Kievit, ‘nuk do të ketë më një Nord Stream 2.

Ne do t’i japim fund’. Një gazetar i kërkoi të sqaronte se çfarë saktësisht do të thoshte, për të cilën Biden u përgjigj: “Ju premtoj, ne do jemi në gjendje ta bëjmë këtë.”