Vendosni fjalën kyçe....

BBC akuzohet për punësime të politizuara


Ish-anëtari i qeverisë laburiste, James Purnell, ka akuzuar BBC-në se e ka bllokuar atë nga një pozicion i lartë, gjoja për të mbajtur favorin ndaj kabinetit të kryeministrit Boris Johnson.

Purnell ka mbajtur një sërë postesh të rangut të lartë brenda BBC përgjatë viteve dhe ka qenë drejtor i Radios e Arsimit midis 2016 dhe 2020.

Megjithatë, kur drejtori i ri i përgjithshëm i medias, Tim Davie, i ofroi Purnell një pozicion në bord në 2020 , drejtorë të tjerë jo-ekzekutivë ‘vendosën se nuk donin dikë me prejardhje laburiste’, tha Purnell në një seri postimesh në Twitter, duke shtuar se në rastin e tij, ‘Bordi i BBC vendosi që politika duhet të përjashtojë’.

Përpara se t’i bashkohej BBC-së, Purnell shërbeu si Sekretar për Kulturën dhe më vonë për Punën dhe Pensionet, në qeverinë laburiste të kryeministrit të atëhershëm Gordon Broën. Kur iu bashkua BBC-së në vitin 2013, Purnell dha dorëheqjen nga Laburistët.

Media dyshohet se ‘ndjeu se kishte të bënte me një rrezik ekzistencial’, pohoi Purnell. Ai vuri në dukje kryekëshilltarin e Boris Johnson, Dominic Cummings, i cili u përshkrua nga mediat britanike se po shkonte në ‘luftë’ me BBC në vitin 2020.

“Ata u bënë shumë të kujdesshëm.” – shpjegoi Purnell.

BBC nuk i ka komentuar deklaratat e Purnell deri më tani. Pretendimet e tij pasojnë një tjetër skandal që përfshin median në fjalë. Në fillim të kësaj jave, ish-prezantuesja e BBC Newsnight Emily Maitlis akuzoi një ‘agjent aktiv të Partisë Konservatore’ – ish-shefin e komunikimit Sir Robbie Gibb për ndërhyrjen në politikën editoriale të lajmeve të BBC-së.

Vetë Maitlis u gjet në shkelje të rregullave të paanshmërisë pasi ajo ndau një postim në Twitter duke kritikuar trajtimin e qeverisë së krizës Covid-19 në vitin 2021. Atë vit, BBC u akuzua gjithashtu për paragjykime të majta pasi emëroi Jess Brammar, ish-redaktor i Huffpost UK, si redaktor ekzekutiv i lajmeve.