Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë në Elbasan, qëllohet në drejtim të një personi, policia në ndjekje të autorit të dyshuar


Të shtëna me armë janë regjistruar në Elbasan mbrëmjen e sotme.

Policia thotë se shtetasi Ermal Metishi ka qëlluar në drejtim të shtetasit Arben Bekteshit por që nuk i ka shkaktuar asnjë dëm.

Ngjarja dyshohet se është përshkallëzuar për shkak të një sherri të ndodhur disa ditë më parë midis dy personave,

Shtetasi Ermal Metishi ka hedhur armën pasi ka pikasur se është vënë në ndjekje nga policia.

Në lagjen “Skënderbeg”, në Elbasan, për shkak të një konflikti të çastit, të ndodhur disa ditë më parë, midis shtetasve E. M. dhe A. B., shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në Elbasan, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A. B., 30 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte duke qarkulluar me automjetin e tij.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë që ishin në patrullim kanë reaguar menjeherë dhe janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ka hedhur armën e zjarrit gjatë ndjekjes nga Policia dhe ka mundur të largohet.

Forca të shumta të Policisë Elbasan, “Shqiponjat” dhe forca operacionale të DVP Elbasan kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vijon veprimet, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”-njofton policia.