Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov shpjegon strategjinë e Rusisë: S’na duhet Perëndimi, kur të na trokasë në derë do shohim nëse do e hapim


Moska pret rritje të bashkëpunimit ekonomik me Kinën teksa Perëndimi po merr një qëndrim më diktatorial në çështjet globale, paralajmëroi të hënën ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Rusia synon të ndërtojë marrëdhënie me vendet e pavarura dhe do vendosë si të sillet me Perëndimin nëse do i duhet dhe kur t’i duhet, shtoi ai.

“Tani që Perëndimi po merr pozicionin e një diktatori, lidhjet tona ekonomike me Kinën do rriten edhe më shpejt.” – u tha Lavrov studentëve në ‘Shkollën Primakov’, një institucion arsimor elitar në Moskë që mban emrin e një prej paraardhësve të tij. Evgeny Primakov shërbeu si ministër i Jashtëm nga viti 1996-98 dhe më pas si kryeministër.

“Përveç të ardhurave të drejtpërdrejta në thesar, kjo do të na japë mundësinë për të zbatuar planet për zhvillimin e Lindjes së Largët dhe Siberisë Lindore.” – shtoi ai.

“Shumica e projekteve me Kinën janë të përqendruara atje. Kjo është një mundësi për ne që të realizojmë potencialin tonë në fushën e teknologjisë së lartë, duke përfshirë energjinë bërthamore, por edhe në një sërë fushash të tjera.”

Duke iu drejtuar trazirave të vijueshme në Ukrainë, Lavrov tha se Moska ishte përpjekur të zgjidhte krizën e Donbasit duke i kërkuar Kievit të zbatonte Protokollin e Minskut, por Perëndimi pretendoi se po kujdesej për bisedimet dhe në vend të kësaj ‘nxiti pozicionin arrogant të regjimit të Kievit’.

Tani Perëndimi po ‘reagon me furi’ ndaj Rusisë që mbron ‘interesat e saj absolutisht të ligjshme dhe themelore’, tha Lavrov. Udhëheqësit perëndimorë po flasin me slogane dhe deklarojnë se duhet ‘të mposhtin Rusinë’ ose ta bëjnë Rusinë ‘të humbasë në fushën e betejës’, pa e kuptuar historinë apo natyrën e Rusisë, shtoi ai.

“Ata duhet të kenë qenë nxënës të këqinj në shkollë.” – tha Lavrov.

“Jam i bindur se kjo përfundimisht do të marrë fund. Perëndimi përfundimisht do e njohë realitetin në terren. Ai do detyrohet të pranojë se nuk mund të sulmojë vazhdimisht interesat jetike të Rusisë apo rusëve, kudo që ata jetojnë, pa u ndëshkuar.” – shtoi ai.

Nëse dhe kur Perëndimi të vijë në vete dhe të dëshirojë të ofrojë diçka në lidhje me rifillimin e marrëdhënieve, Rusia ‘do shqyrtojë seriozisht nëse do na duhet apo jo.’ – vijoi Lavrov.

Moska jo vetëm që po zbaton një strategji të zëvendësimit të importeve në përgjigje të sanksioneve antiruse, por ‘duhet të ndalojë në çdo mënyrë të jetë e varur nga furnizimi i çdo gjëje nga Perëndimi’ dhe të mbështetet në aftësitë e veta dhe ato vende që kanë ‘dëshmuar besueshmërinë e tyre’ dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur, shpjegoi Lavrov.